Flash News

KRYESORE

Vokshi i bën bilancin e ‘1-Maj-ve’: Njihuni me Ramën, “kryepunëtorin” e korrupsionit dhe kanabisit

Deputetja e partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka bërë një bilanc sa i takon nivelit të papunësisë në vend në këto pesë vite të fundit. Vokshi thotë se të vetmet vende të punës, që ka hapur Rama, në këto 5 vite, kërkojnë një cv-trafikanti apo matrapazi.

“Sot Rama bëri thirrjen: çohuni nga kafja dhe punoni. Por për 5 vjet s'ka hapur asnjë vend pune. Të vetmet vende të punës, që ka hapur Rama, në këto 5 vite, kërkojnë një cv-trafikanti apo matrapazi.

Punë ka, por nuk ka profesionistë për në Kanabistanin e Edvinit, ku të drejtat e punëtorit shkelen me VKM-të klienteliste, të firmosura porsi një Kryeministër Skllavopronar...:

Paga minimale 21.000 lek, paga e papunësisë 5.000 lek”, shkruan Vokshi në rrjetin social Facebook.

Më tej, duke ju referuar statistikave, deputetja e PD-së thotë se Shqipëria ka përqindjen më të lartë të të punësuarëve në të zezë.

“Ndërsa referuar Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Shqipëria ka përqindjen më të lartë të të punësuarëve në të zezë. Në një raport të posaçëm kjo organizatë, vlerësoi, se informaliteti në punësim në Shqipëri është 57%, gati sa dyfishi i fenomenit në rajon, veçanërisht i pranishëm në grupet më vulnerabël, siç janë të rinjtë, gratë dhe grupmosha më e vjetër e forcës së punës.

Sipas të dhënave të fundit të Eurostat, në vitin 2016 Shqipëria shpenzoi për ushqime 32.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), Kosova shpenzon 29.4% e ndjekur nga Mali i Zi me 22.8%, Bosnja me 21.5%, Maqedonia me 18.4% dhe Serbia me​16.5%.

Për bukë dhe drithëra, Shqipëria shpenzon 5% të PBB, më e larta në Europë, nga 1.1% që është mesatarja e BE-së”, thekson Vokshi.

Deputetja e PD-së e mbyll reagimin e saj duke thënë se “varfëria në Shqipëri është ulëritëse. Mijëra familje luftojnë për të siguruar një vakt me bukë thatë për fëmijët e tyre. Ndërsa Rama qëllimshëm, me politika antisociale ka ulur mjerimin këmbëkryq në vatrat shqiptare...që njerëzit të mendojnë për ushqim e nevoja bazike, e jo përtej tyre...! Ja pra njihuni me Ramën, “kryepunëtorin” e korrupsionit dhe kanabisit !”

Të fundit