Flash News

KRYESORE

Vokshi: Rama i jep mikut të tij 526 milionë euro brenda një viti

Vokshi: Rama i jep mikut të tij 526 milionë euro brenda një viti

Ish deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, në një deklaratë dhënë për mediat tha se, kryeministri Edi Rama pritet të miratojë sot në Parlament dy koncesione me vlerë 328 milionë euro për dy rrugë me gjatësi vetëm 31 kilometra.

Bëhet fjalë për koncesionet Milot-Balldren dhe Orikum – Dukat, të cilat do të diskutohen sot në seancën parlamentare.

Sipas Vokshit, me vendimin e sotëm të Parlamentit, 1 kilometër rrugë, do t’i kushtojë shqiptarëve  10.5 milionë euro. Ajo deklaroi gjithashtu se kompania që përfiton është në pronësi të një njeriu që ka lidhje të ngushta familjare me kryeministrin.

“Kompania që përfiton pjesën e luanit, prej 258 milionë euro për 17 kilometra të rrugës fushore Milot- Balldre është ajo e Ndue dhe Agim Kolës, të njohur për lidhjet e ngushta familjare me Edi Ramën. Ndërsa kompania tjetër, Gjikuria, e koncesionit për Orikum - Dukat, njihet për numrin e madh të tenderave publikë që ka përfituar gjatë qeverisë së Edi Ramës”, u shpreh Vokshi.

Ajo shtoi se brenda 1 viti, kryeministri Rama i ka dhënë familjes së mikut të tij personal, Ndue Kola, 526 milion euro ose gati 5% të Prodhimit Kombetar nëpërmjet koncesiont të sotëm dhe atij të rrugës së Arbrit, që ndërtohet nga e njëjta familje.

Po ashtu, Vokshi tha se këto koncesione janë pjesë e një projekti që po e shndërron vendin në parajsë të pastrimit të parave.

“Koncesioni Milot-Balldren dhe Orikum - Dukat është pjesë e projektit kriminal “1 miliardë euro”, që po e shndërron Shqipërinë në parajsën e pastrimit të parave të pista, koston e së cilës e paguajnë qytetarët shqiptarë”, deklaroi Vokshi.

Në përfundim të deklaratës së saj, Vokshi tha se me ligjin antimafia, që sipas saj do të miratohet ditët e para të ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike, do u kthejë shqiptarëve gjithçka që u është vjedhur nga të tilla afera.

Të fundit