Flash News

KRYESORE

Vota në OKB/ Gjekmarkaj: Atentat ndaj shqiptarëve. Nano: “Po”-ja është kuptuar nga amerikanët

Vota në OKB/ Gjekmarkaj: Atentat ndaj shqiptarëve. Nano:

Analistët në Tiranë janë të ndarë sa i përket qëndrimit të Shqipërisë në OKB për rezolutën mbi Jerusalemin dhe dënimin e vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump.

Agron Gjermarkaj, në shkrimin e publikuar te ‘Panorama’, e konsideron atentat ndaj popullit shqiptar votën e Tiranës dhe thekson se ky qëndrim tregon se sa afër jemi në të vërtetë me Erdoganin dhe Ramallahun.

“Qeveria jonë nuk duhet t’ia bënte këtë atentat popullit të vet. Kurrsesi nuk duhej ta godiste këtë romantizëm amerikan ndaj nesh. E për çfarë? Për një racion kadaif e bakllava më tepër nga Erdogani. Ne prej dekadash mburremi për ndihmën që u kemi dhënë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë. E përsërisim këtë gjë deri në pështirosje… pa kursim, pa elegancë… me teprinë e natyrshme të një shoqërie që s’ka shumë për t’u mburrur. Ndoshta është kjo shtysë që përcakton edhe votimin e sotëm në OKB. Një Shqipëri që voton kundër vetvetes. Ky akt nuk ndihmon për t’u ndier gjasme më shumë europianë, por u kujtoi amerikanëve se sa afër jemi në të vërtetë me Erdoganin dhe Ramallahun, po thuaj njësoj si në kohën kur Enver Hoxha priste me nderime Abu Xhihadin”, shkruan ndër të tjera Gjekmarkaj.

Edhe analisti tjetër, Mustafa Nano e vë theksin se raporti i Shqipërisë me presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan. Në shkrimin e publikuar te ‘Mapo’, Nano shprehet se vota jonë nuk do i shërbente shumë SHBA-së, ndaj këta të fundit me siguri e kanë kuptuar këtë qëndrim.

“Baba” Erdogani do ishte tërbuar sikur ne të votonim kundër rezolutës. Në fund, vota jonë nuk është se do t’u shërbente shumë SHBA-ve. Nuk është se ishte një votë që do ndante shapin nga sheqeri. Nuk është se amerikanët ishin vënë në kërkim të një vote që atyre u duhej se s’bën, dhe ne ua refuzuam. Nuk ishim as në situatën, në të cilën po merrej një vendim që për amerikanët do të ishte detyrues. Jo, miratimi i rezolutës nuk i detyron SHBA-të për asgjë. Duke qenë kështu, nuk është çudi që amerikanët vetë, për të mos vënë në pozitë të vështirë shumë aleatë, t’u kenë dhënë atyre heshturazi “lejen të mos ndahen nga bota”. Me këtë shpjegohet, ndoshta, abstenimi i Kanadasë e Australisë. Siç shihet, peshorja anon nga “po”-ja për rezolutën. Është një “po” që nuk na rrezikon për asgjë. Është një “po” që me siguri është kuptuar nga amerikanët. Kuptohet, nëse kanë patur nge, e dëshirë, ta vënë re që ne kemi votuar “po”, shkruan Mustafa Nano.

Të votosh si Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë

Të fundit