Flash News

KRYESORE

Vrasja e gazetarit Khashoggi, OKB i kërkon Arabisë Saudite transparencë

Vrasja e gazetarit Khashoggi, OKB i kërkon Arabisë Saudite

Raportuesja speciale e Kombeve të Bashkuara, Agnes Callamard është shprehur se Seancat private të Arabisë Saudite për 11 të dyshuarit e akuzuar për vrasjen e gazetarit, Jamal Khashoggi shkelin ligjin ndërkombëtar dhe duhet të jenë të hapura për publikun dhe vëzhgues gjyqësorë.

Ajo ka dënuar atë që ka cilësuar si mungesë të transparencës në hetimet që është duke kryer Mbretëria Saudite për këtë rast. Callamard u ka bërë thirrje autoriteteve saudite që të publikojnë emrat e të pandehurve.

“Procedurat aktuale janë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, i cili përcakton të drejtën për seanca të hapura”, ka thënë Callamard përmes një deklarate, raporton REL.

“Qeveria e Arabisë Saudite gabon nëse mendon se këto procedura, do të përmbushin pritshmëritë e komunitetit ndërkombëtar”, ka shtuar ajo.

Prokurori Publik i Arabisë Saudite ka paditur 11 të dyshuar të paidentifikuar në muajin nëntor, duke përfshirë pesë persona që mund të përballen me dënim me vdekje, lidhur me akuzat për urdhërim dhe kryerje të krimit.

Disa shtete perëndimore bashkë me CIA-n besojnë se Princi Saudit, Mohammed bin Salman, ka urdhëruar vrasjen, pretendim që kundërshtohet nga zyrtarët sauditë.

Megjithatë Callamard ka thënë edhe në një shkrim për Washington Post se zyrtarët e lartë sauditë do të jenë “penalisht përgjegjës” nëse dështojnë që të hetojnë dhe ndëshkojnë ata që kanë përgjegjësi për këtë vrasje.

Kujtojmë që Khashoggi, kolumnist për Washington Post, i cili ka jetuar në Shtetet e Bashkuara u vra në Konsullatën Saudite në Stamboll në tetor të vitit 2018.

Të fundit