Flash News

KRYESORE

Vrasja e gjyqtares në Tiranë, mesazhi prekës i Mimoza Hafizit: Lamtumirë kushërira ime trime

Vrasja e gjyqtares në Tiranë, mesazhi prekës i Mimoza Hafizit:

Deputetja Mimoza Hafizi ka reaguar pas vrasjes së gjyqtares Fildes Hafizi nga ish-bashkëshorti i saj.

Përmes një statsusi në rrjetin social “Facebook” Hafizi zbulon se Fildes ishte kushërira e saj dhe e përshkruan si një vajzë trime që e donte jetën dhe admironte profesionin. Edhe pse rrëfen se është larg dhe nuk mund ti jap lamtumirën, Hafizi shprehet se brenga e saj është se vdekja e gjyqtares nuk u shmang dot as pas klithmave për ndihmë.

Mesazhi i Hafizit:

Fildes Hafizin e vranë sot pabesisht. Ishte vajzë e rrallë. E donte shumë jetën, adhuronte fëmijët e prindërit, admironte profesionin, respektonte dijen, i përkushtohej karierës, përbuzte injorancën, përçmonte apatinë, sfidonte stërmundimin. U diplomua juriste, magjistrate, gjykatëse duke rritur dy fëmijë. E thurri me mund ëndrrën e vet. Që sot ia prenë egërsisht. Jam shumë larg e s’mund të shkoj t’i hedh një grusht dhé lamtumire. Me dhimbjen për vitet e pajetuara, me brengën e një vdekjeje që nuk e shmangëm dot, me jehonën e klithmave të saj për ndihmë, me revoltën ndaj sistemit që kemi ngritur. Por e di se buzëqeshja e saj e bukur do çajë murin e zi të vdekjes për t’iu bërë dritë dy prindërve të mjerë e dy fëmijëve të dashur. Se iu duhet, që t’ia shohin kuptimin jetës edhe pa sytë e Desit.

Lamtumirë kushërira ime trime!

Të fundit