Flash News

KRYESORE

Vrasja e vëllezërve Bilali, autori kryesor në kërkim është djali i anëtarit të këshillit bashkiak në Shkodër

Sot, policia ka zbardhur vrasjen e ndodhur një muaj më parë në Shkodër të dy vëllezërve Astrit dhe Ibrahim Bilali, duke vënë në pranga dy persona Myslym Ramën dhe Arsen Stojkun, të akuzuar për “Vrasja me paramendim kryer në bashkëpunim”.

Po ashtu, ka shpallur në kërkim dy të tjerë, mes tyre Ibrahim Licin 26 vjeç.

Ky i fundit nuk është një emër i panjohur për policinë dhe drejtësinë shqiptare. Ai njihet si anëtar i një bande që vepronte në Shkodër dhe i arrestuar në 2017 si anëtarë i një bande gjobëvënëse ndaj tregtarëve në qytetin verior, por një muaj më pas u la i lirë nga gjykata.

Nga ana tjetër, kujtojmë se Astrit Bilali ishte babai i Astmer Bilali, i arrestuar si pjesë e grupit "Bajri" në Shkodër, ndërkohë që grupi kundërshtar i tyre janë Licajt. Dyshohet që pikërisht lufta mes këtyre bandave të këtë sjellë viktimat e radhës.

Sipas BW, 26-vjeçari i shpallur në kërkim nga policia si autori kryesor i vrasjes së dy vëllezërve është nipi i Fatbardh Licit i vrarë më 8 gusht 2018 dhe djali i Mustafa Licit, anëtar i këshillit bashkiak në Shkodër.

Po ashtu, kujtojmë se viktima Fatbardh Lici është kunati i Lulzim Kullës, biznesmenit të njohur ndaj të cilit u bë atentat më 13 janar të vitit të kaluar me lëndë shpërthyese ku mbeti i plagosur.

Ky atentat dyshohet se ishte dhe ngjarja që prishi qetësinë mes grupeve në Shkodër.

Të fundit