Flash News

KRYESORE

Vrasjet e 2018-ës/ Ngjarjet që tronditën shqiptarët, nga “dora” e mafias te masakra e Selenicës

Vrasjet me armë zjarri në Shqipëri vazhdojnë të mbeten në nivele alarmante. Edhe pse në numër më të ulët  në raport me vitin e shkuar, statistikat evidentojnë një bilanc “lufte” për vitin që lamë pas.

Politiko.al e risjell edhe një herë të përmbledhur të gjithë panoramën e krimeve me dashje gjatë 2018-ës, nga ato tipike mafioze, shumica fatkeqësisht ende pa autorë, deri te ngjarja e vitit, masakra e Selenicës, e cila pa dyshim do mbetet si më e rënda e ndodhur vitet e fundit.

Masakra e Selenicës

U cilësua si “e premtja e zezë” 10 gushti i këtij viti, për faktin se një i ri qëlloi në gjakftohtësi të plotë tetë kushërinjtë e tij në Resulaj të Selenicës në Vlorë.

Është pa dyshim ngjarja më e rëndë jo vetëm e këtij viti, por edhe në vitet e fundit në Shqipëri. Ritvan Zykaj vetëm 24 vjeç shoi dy familje për shkak se e akuzonin për vjedhjen e pulave në fshat. Mes viktimave ishin edhe dy fëmijë të mitur.

Zykaj u arrestua disa orë pas krimit, ndërsa në gjykatë nuk ka treguar ndonjë pendesë për krimin e kryer.

Vrasja në ish-Bllok, këngëtarja “mollë sherri”

Në mbrëmjen e 4 tetorit u shënua një nga ngjarjet kriminale më të bujshme të këtij viti. Një person u qëllua me armë zjarri dhe dy të tjerë u plagosën në lokalin ‘Monopol’ në pronësi të Redi Popeskut pas një sherri fillimisht me grushte mes dy grupeve, atij të Ervis Martinajt dhe Ervin Matës.

Redi Popesku

Emri i Martianjt, njëri nga të plagosurit, nuk ishte i panjohur për drejtësinë shqiptare. Biznesmeni i disa pikave të basteve në Tiranë u përfshi, në konflikt me grupin e Ervin Matës, po ashtu një biznesmen  njohur dhe dashur  këngëtares, Elvana Gjata.

Në foto: Ervin Mata, Elvana Gjata, Ervis Martinaj dhe Mevjol Bilo

Për pasojë, mbeti i vdekur Fabian Gaxha dhe u plagos gjithashtu Eljon Hate. Deri  tani janë përfolur disa pista të dyshuara por ajo më e forta deri tani dyshohet se ‘mollë sherri’ për konfliktin mes 7 personave ka qenë ngacmimi i këngëtares Elvana Gjata, e cila ndodhej në lokal bashkë me të dashurin e saj, aktualisht në kërkim bashkë me Mevjol Bilon, komando dhe truprojë i Elvana Gjatës, autor i dyshuar i vrasjes së Fabian Gaxhës.

Viktima dhe vendi i ngjarjes   

Vrasja e minoritarit Kostandinos Kacifas nga RENEA

Vrasja e minoritarit grek në fshatin Bularat të Gjirokastrës është një tjetër ngjarje që krijoi  edhe tensione mes fqinjësisë greko-shqiptare.

I veshur ushtarak, më 27 tetor 31-vjeçari Kostandinos Kaçifa u qëllua për vdekje nga forcat RENEA, për shkak se nuk iu përgjigj thirrjes për t’u dorëzuar, madje sipas policisë ka hapur edhe zjarr ndaj këtyre të fundit në mes të fshatit.

Asgjësimi i Kaçifas i solli jo pak “telashe” edhe politikës së jashtme shqiptare. Ngjarja u shoqërua me protesta të shumta në Greqi dhe gjatë ceremonisë së varrimit në Bularat, ndërsa Athina zyrtare e cilësoi ngjarjen të papranueshme.

Nga ana tjetër, eurodeputetja qipriote, Eleni Theocarus u shpall “non grata” nga shteti shqiptar për artikulimin e thirrjeve anti- shqiptare në varrimin e Kacifas në Bularat.

Vrasjet mafioze

Dy javë pas Vitit të Ri në Tiranë u shënua vrasja e parë. Emiljano Boçi që njihej edhe si Roland Boçi, u qëllua me dsa plumba në rrugën “Shefqet Musaraj” në një lokal te zona e 21 Dhjetorit.

Nga breshëria e plumba u plagos edhe miku i tij Melvin Disha 27 vjeç. Boçi u ekzekutua vetëm 2 muaj pasi doli nga burgu, ku ishte dënuar për tentativë vrasje.

Disa ditë më vonë, Devi Kasmi, 41-vjeç dhe me precedentë penalë u vra me pesë plumba pranë godinës së SHISH në Tiranë.

Dy persona me motor i bënë atentat poshtë shtëpisë së tij. Pak ditë më vonë u arrestua greku Efthymiou Efthymious, i cili akuzohet si vrasësi me pagesë i Kasmit. Konfliktet për aktivitete kriminale dyshohet se u bënë shkak i kësaj vrasjeje tipike mafioze.

Efthymiou Efthymious

Më 14 shkurt, qëllohet për vdekje 64-vjeçarin Memli Begalla në zonën e ish-bllokut në Tiranë, në hyrje të pallatit ku banonte. Për këtë ngjarje janë arrestuar Denis Demiri dhe Ardian Serezi.

Vrasja e Memli Begallës dyshohet të jetë kryer për shkak të borxheve të  pashlyera që viktima i kishte ndaj personave të tretë dhe mendohet se bëhet fjalë për shuma deri në 90 mijë euro.

Shkodra mbetet këtë vit një nga qytetet më të goditura nga vrasjet. Më 15 korrik u vra ish polici Boran Bërçana dhe bashkëjetuesja e tij Silvi Ndoci. Deri tani edhe pse disa muaj pas krimit u publikuan pamjet e vrasjes, ende nuk ka asnjë autor të dyshuar.

Dita e parë e shtatorit të këj viti nisi me vrasje. Persona të paidentifikuar ende qëlluan për vdekje 30-vjeçarin Arjan Ferracaku, i njohur si biznesmen i disa aktiviteteve në Shkodër.

Në kohën kur është qëlluar, i riu po kalëronte bashkë me dy të afërm në një livadh tek hidrovori i  fshatit Dobraç, në periferi të qytetit.

Më 14 nëntor po në Shkodër, vritet ditën për diell i afërmi i Arjan Ferracakut,  tregtari i peshkut  Fatos Ferracaku 40 vjeç. Ngjarja ndodhi në lagjen "Partizani", në afërsi të zonës së njohur si Markata, ndërsa u plagos Fatmir Mehaj 49 vjeç.  Ngjarje nuk ka ende autorë të dyshuar.

Dy ditë para Vitit të Ri, një atentat mafioz shkaktoi tre viktima në rrethrrotullimin e Bradasheshit në Elbasan. Tre persona mbetën të vdekur, xhaxha e nip, Endrit Dylgjeri 34 vjeç, Arben Dylgjeri, 56 vjeç të dy nga Elbasani, si dhe shtetasi turk Erdal Duranay, 51 vjeç.

Erdal Duranay

Paraprakisht, mendohet se shkak për vrasjen e trefishtë janë larja e hesapeve për pazaret e drogës

 

Krimet në familje dhe vrasjet për pasion

Tirana është tronditur këtë vit edhe nga krimet e pasionit. I pari rast ishte ai i 21 janarit, ku Aldison Behlulajt, i riu që studionte për infermieri, vrau ish-të dashurën, studenten e Juridikut, Ariela Murati dhe më pas qëlloi edhe veten me një plumb në kokë. Ngjarja ndodhi pranë spitalit “Nënë Tereza”, pasi 23-vjeçari nuk e pranonte ndarjen mes tyre. I riu ndërroi jetë disa ditë më vonë në spital.

Në 8 qershor një tjetër krim pasioni tronditi Tiranën. Xhaferr Mata vrau ish-të dashurën e tij Xhuljeta Çunin dhe më pas veten. 31-vjeçari babai një fëmije me një tjetër grua, dyshohet se e vrau pasi 19-vjeçarja refuzoi të vazhdonte lidhjen me të.

Një tjetër krim në familje tronditi opinionin. 26-vjeçari Qemal Sela vret prindërit sapo ishte kthyer nga Anglia, ku qëndronte prej 7 vitesh.

Ai vrau me çifte Flamur dhe Zeqimete Sela, 56 dhe 50 vjeç pas një konflikti për pronësinë e hotelit dhe pas akuzat ndaj prindërve për fshehje të parave që ai sillte nga Anglia.

Në qershor burri vret me mjete të forta bashkëshorten e tij, prindër të 6 fëmijëve në Durrës.

Çlirim Shaholli 42 vjeç la të vdekur gruan e tij, Ardiana Shaholli 40 vjeçe, pasi  kishin konflikte të herë pas hershme për shkak të varfërisë ekstreme.

Më 27 shtator, 21-vjeçari Redmon Gruda masakron për vdekje gjyshen e tij të moshuar në lagjen numër 16 në Durrës. Refuzimi nga ana e viktimës 81 vjeçare Floresha Shkurti për t’i dhënë para që dyshohet se do t’i përdorte për të blerë lëndë narkotike është motivi.

Pas krimit, i riu tentoi të humbë provat dhe lajmëroi ambulancën. Megjithatë, hetimet e zbuluan brenda 24 orësh dhe e arrestuan.

Vrasje të tjera

Më  10 prill, pak ditë pasi ishte i ishte refuzuar kërkesa për azil në Suedi, vritet pranë apartamentit të tij në Kinostudio 28-vjeçari Mario Majollari.

Shkak për vrasjen e tij ishte gjakmarrja pasi babai i tij, Avni Majollari kishte vrarë dy persona 18 vite më parë në rrugën e Dajtit, krim për të cilin aktualisht po vuan dënimin.

Si autor i dyshuar u shpall në kërkim Kastriot Gjuzi, vëllai i njërit prej viktimave të vitit 2000.

Në 20 mars-Vritet pronari i hotelit në Dibër. U qëllua me tre plumba 32-vjeçari Elsi Kosiqi, në derë të shtëpisë në Maqellarë. Bashkë me familjen kishte në pronësi një hotel pranë llixhave. I riu u vra sapo ishte kthyer nga Maqedonia, për motive të paqarta.

6 shtator-Vritet 27-vjeçari në Mamurras. Rreth orës 04 e 30 në të gdhirë 6 shtatori qëllohet për vdekje me kallashnikov, në afërsi të xhamisë së Mamurrasit Indrit Pepa 27 vjeç.

Shkak i ngjarjes dyshohet një konflikt i vitit 2012 ku viktima akuzohej për plagosjen me armë të një bashkëqytetarit të tij. Sipas banoreve, vitet e fundit familja Pepa ishte ngujuar dhe viktima kishte emigruar.

18 shtator, vrasja e bariut në Tropojë

69-vjeçari Tahir Bajraktari u gjet i vrarë në një nga malet e fshatit Doberdol në Tropojë. Policia identifikoi autorin inicialet N.L, 54 vjeç një ditë pas krimit dhe e shpalli në kërkim.

Viktima punonte si bari në bjeshkë dhe sipas policisë ngjarja ndodhi për  motive të dobëta.

30 shtator-Vritet me thikë 36-vjeçari në Dibër

36-vjeçari Idajet Zogu përfshihet në një konflikt me dy vëllezër në një lokal në fshatin Arras në Dibër dhe për pasojë gjeti vdekjen. Vrasja e tij erdhi për motive të dobëta.

Në fund të dhjetorit u vra në Laprakë me një plumb në kokë 17-vjeçarja Briselda Gjikola. Shkak ishte një konflikt banal mes autorit dhe Erion Bengos 23 vjeç, me të cilin ajo ishte në makinë. 23-vjeçari mbeti i plagosur gjithashtu, por jashtë rrezikut.

 

Të fundit