Flash News

KRYESORE

Vuçiç flet për DER SPIEGEL si lider i Ballkanit: 'mini-Shengeni' na bën Skandinavinë e vendeve të varfra

Në një intervistë për revistën gjermane DER SPIEGEL, Presidenti serb Aleksandar Vuçiç diskuton tensionet e reja në Ballkan, përpjekjet e vendit të tij në përmirësimin e raporteve me Rusinë dhe zemërimin me Bashkimin Europian.

Vuçiç flet për DER SPIEGEL si lider i Ballkanit:

Si president i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, 49 vjeç, mbron afrimin midis vendit të tij dhe Bashkimit Europian, por në të njëjtën kohë, ai po flirton me Moskën dhe Pekinin. I konsideruar si një udhëheqës nacionalist në epokën e Slobodan Millosheviçit, i cili e emëroi ministër Informacioni, Vuçiç shpërfill shumë kritikë dhe skicon kursin e tij. Jurist në profesion, Vuçiç e sheh si rolin e tij sigurimin e një zëri më të fortë për Ballkanin Perëndimor, të lënë pas dore nga BE.

Walter Mayr/ DER SPIEGEL

Përkthimi nga Anglishtja: Politiko.al

DER SPIEGEL: Z. President, vizita juaj e radhës te Presidenti rus Vladimir Putin në Moskë ishte planifikuar për 4 Dhjetor. A po mendoni t'a anuloni vizitën pas zbulimeve të djeshme për shkallën në të cilën agjentët e inteligjencës ruse po spiunonin ushtrinë serbe?

Vuçiç: Jo, nuk po e konsiderojmë. Ne duam të thellojmë më tej marrëdhëniet tona të shkëlqyera dhe miqësore. Por sigurisht, Serbia dëshiron të tregojë se është një vend i pavarur që di të mbrojë asnjanësinë e saj ushtarake. Ne jemi duke marrë një qasje serioze dhe të përgjegjshme për situatën aktuale.

DER SPIEGEL: Si synoni të rivendosni besimin me aleatin tuaj tradicional?

Vuçiç: Kombet tona kanë qenë miq që nga kohra të lashta. Serbia është e përgatitur për marrëdhënie të mira dhe shpresoj që edhe Rusia të jetë. Ajo që sapo ndodhi, natyrisht, nuk është e lehtë për ne. Por, çfarë alternative kemi pasur përveç publikimit? Ne duhet të mbrojmë vendin tonë.

DER SPIEGEL: Lëvizjet e fundit të politikës së jashtme të Serbisë bëjnë që të duket sikur po provoni një lloj veprimi shtrëngues, me vendin tuaj që lëkundet midis Perëndimit dhe Lindjes.

Vuçiç: Serbia vazhdon të jetë në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Ky është qëllimi ynë strategjik. Në të njëjtën kohë, megjithatë, ne kemi marrëdhënie të mira me Kinën dhe Rusinë. Mbi të gjitha duhet të kemi në vëmendje mbijetesën dhe interesat e Serbisë.

DER SPIEGEL: A ishte e nevojshme, megjithë paralajmërimet masive nga Brukseli, të nënshkruanit një traktat me Bashkimin Ekonomik Euroaziatik, i cili bashkon vendet autokratike si Bjellorusia dhe Kazakistani nën udhëheqjen ruse?

Vuçiç: Ne nuk jemi bërë anëtarë të këtij Unioni. Ne kemi nënshkruar vetëm marrëveshje ekonomike dhe tregtare, në mënyrë që të mund të shesim djathë, kos, cigare dhe konjak në Rusi. Sapo të bashkohemi me BE, domethënë, nëse bashkohemi, këto marrëveshje do të bëhen të pakuptimta.

DER SPIEGEL: Rusia, sidoqoftë, mund ta shesë këtë marrëveshje si një fitore strategjike. Çfarë iu premtoi Putin në këmbim?

Vuçiç: Ai e di se këto janë marrëveshje të përkohshme. Unë, nga ana tjetër, duhet të mendoj për Serbinë. Në kontrast me Rumaninë, për shembull, e cila ka marrë 60 miliardë euro nga BE deri më sot, ne nuk kemi akses në fondet strukturore të BE-së. Sidoqoftë, Serbia ka një nga shkallët më të larta të rritjes ekonomike në Europë dhe po kalon një tepricë buxheti për të katërtin vit radhazi. Ne tërheqim më shumë se gjysmën e të gjithë investimeve të huaja direkte në Ballkanin Perëndimor.

DER SPIEGEL: Afrimi juaj ekonomik me Rusinë do të faturohet në Moskë si distancim i Serbisë nga Europa. A nuk të shqetëson kjo?

Vuçiç: Ne kemi marrëdhënie të qarta dhe të ndershme me Rusinë. Ata e dinë çka unë përfaqësoj. Kjo nuk është rasti me shumë politikanë të BE-së, veçanërisht populistët. Ata harrojnë prej nga vijnë sapo mbërrijnë në Moskë. Kur jam në Moskë, e sqaroj fort: Ne jemi miq, por Serbia ende dëshiron të jetë pjesë e BE.

DER SPIEGEL: Çfarë interesi do të kishte Moska për tërheqjen e Serbisë në fushën e saj ekonomike? Çfarë interesi do të kishte për furnizimin e Serbisë me armë moderne, gjë që së fundmi bëri që Matthew Palmer, përfaqësuesi special i SHBA për Ballkanin Perëndimor të kërcënonte vendin tuaj me sanksione?

Vuçiç: Rusët kanë interesat e tyre dhe ne kemi tanët. Rusët nuk na bëjnë ndonjë dhuratë, por ata na kanë dhënë një çmim të mirë.

DER SPIEGEL: Një dërgesë e madhe ushtarake ruse u ndalua nga Rumania në korrik, por megjithatë ajo arriti në Serbi nga ajri në një datë të mëvonshme. Për çfarë po armatoset Serbia?

Vuçiç: Për asgjë. Por ne u jemi shumë mirënjohës rusëve, dhe skandali i fundit i spiunazhit nuk e ndryshon këtë. Mos harroni, ne ishim vendi i vetëm që nuk vendosëm sanksione ndaj Rusisë.

DER SPIEGEL: Kur Kryeministri rus Dmitry Medvedev ishte në Beograd në tetor, ju vendosët një kurorë me të në memorialin "Vdekje fashizmit - Liri popujve" në një kohë kur ushtarët rusë po pushtojnë pjesë të Gjeorgjisë dhe Ukrainës. A nuk është kjo thjesht një përrallë e sajuar anti-fashiste?

Vuçiç: Asnjëherë nuk mund të ketë shumë anti-fashizëm. Serbët dhe Rusët vuajtën në mënyrë të konsiderueshme nën nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht për shkak të nazistëve, dhe një shteti, gjoja të pavarur kroat që vrau qindra mijëra serbë në atë kohë. Ne në të vërtetë kemi nevojë për më shumë përkujtim të atyre që vdiqën, thjesht sepse nuk vinin nga vende që u pëlqenin kroatëve ose shteteve të tjera satelite naziste.

DER SPIEGEL: Kur takoheni me Putinin ose Medvedevin, a flisni edhe për pushtimin e Krimesë dhe pjesë të Ukrainës lindore?

Vuçiç: Sigurisht që, jo. Unë vij nga një vend shumë i vogël dhe kujdesem për interesat tona. Ju gjermanët mund të flisni me të për këto gjëra. Kur jam me Angelan (Merkel), ne flasim se si ju duhet të blini mollët dhe dardhët tona.

DER SPIEGEL: Vetëm kaq?

Vuçiç: Sigurisht, ne flasim edhe për të ashtuquajturën "Autostradë e Paqes". Ky është projekti për të cilin unë jam akuzuar nga disa bashkatdhetarë si 'tradhtari më i madh i Serbisë': Një autostradë prej 77 kilometrash drejt Prishtinës në Kosovë. Për mua, bëhet fjalë për ndërtimin e urave, jo për ndihmën për krijimin e Shqipërisë së Madhe, siç disa më kanë akuzuar se kam bërë. Merkel ofroi mbështetje në formën e një kredie 20 për qindëshe. E pyes se si mundet ajo të na ndihmojë. Nuk më intereson skena botërore. Më intereson Serbia dhe Ballkani. Pikë.

DER SPIEGEL: Megjithatë Kina duket se po luan një rol gjithnjë e më të madh në vendin tuaj. Ju flisni për një "miqësi të fortë sa çeliku". A vjen kjo nga fakti se kinezët blenë uzinën e çelikut në Smederevo?

Vuçiç: Po, ndër të tjera. Eshtë një miqësi e qëndrueshme për të cilën jam krenar. Kur Amerikanët u tërhoqën nga uzina e çelikut, u fol për falimentim dhe 5,000 njerëz u kërcënuan me papunësi. Unë iu luta Xi Jinping të "vinte dhe të na shpëtonte". Ai erdhi dhe bëri atë që kishte premtuar. Nga ana tjetër, ne nuk e morëm fabrikën e re të Volksëagen-it, përkundër faktit se investuam shumë dhe shpresonim shumë. Ata vendosën në favor të Turqisë.

DER SPIEGEL: A ndiheni të lënë pas dore nga BE?

Vuçiç: Eshtë vendimi i tyre. Një gjë është e qartë, sidoqoftë: Unë nuk dua më të dëgjoj leksione për kontaktet tona me Kinën nga politikanët e BE-së që kanë qenë në Kinë tri herë më shpesh se sa unë. Kinezët blenë kompaninë e teknologjisë së lartë Kuka në Gjermani, e cila vlen 10 herë më shumë se gjithçka që ata kanë fituar në Serbi.

DER Spiegel: Për cilin hipokrizi po ankoheni konkretisht?

Vuçiç: Më vjen në mend pothuajse çdo politikan kryesor në BE dhe në Perëndim. Unë nuk jam i vetmi që është i pranishëm në samitin vjetor Kinë-Europa Qendrore dhe Lindore. Vendet anëtare të BE-së, si Polonia dhe Greqia, janë gjithashtu atje. Por të gjithë i turrem Serbisë, gjë tipike për standardet e dyfishta që hasim pa pushim.

DER SPIEGEL: A mendoni se tregohet më shumë durim me fqinjin, Kroacinë, një vend anëtar i BE?

Vuçiç: A mendoni se Serbisë do t’i jepen afro 400 milion euro fonde të BE-së në mënyrë që këto para të mund të përdoren për një urë që do të ndërtohet me ndihmën e punëtorëve kinezë, siç po ndodh aktualisht në Detin Adriatik në Kroaci? Unë ndoshta do të isha varur në Bruksel.

DER SPIEGEL: Plani fillestar ishte që Serbia të anëtarësohej në BE në 2025, por kjo nuk është më në tryezë. Kush është përgjegjës? Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili gjithashtu bllokoi kohët e fundit negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut?

Vuçiç: Do të ishte shumë e thjeshtë të ankohesh për Macron. Pyetja e vërtetë është kjo: Si duket e ardhmja për ne këtu në Ballkan? A po na llogarisni edhe ne, apo thjesht doni të blini kohë? Jini të drejtë me ne dhe ndalni së foluri për kriteret e pranimit të lidhura me performancën nëse, në fund të fundit, siç thotë filozofi gjerman Leibniz, "arsye të mjaftueshme" mund të gjenden gjithmonë për të refuzuar një vend. Ajo që ne po kërkojmë është qartësi dhe largpamësi - asgjë tjetër.

DER SPIEGEL: A po e humbet durimi popullata serbe?

Vuçiç: Sondazhet tregojnë se 42 përqind e serbëve favorizojnë anëtarësimin në BE dhe 42 përqind janë kundër tij. Pjesa tjetër janë të pavendosur. Ata që nuk duan t'ia shtrijnë dorën Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, gjithashtu duhet të presin refuzim në rritje në Serbi.

DER SPIEGEL: Kjo do të dërgonte një mesazh katastrofik, veçanërisht duke pasur parasysh që ju keni vepruar për ca kohë si një lloj zëdhënësi për Ballkanin Perëndimor...

Vuçiç: Unë kam qenë me kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në samitin e Ohrit dhe ramë dakord për pothuajse çdo pikë, duke përfshirë që unë të flisja me Macron në emër të të gjithëve, siç bëra javën e kaluar.

DER SPIEGEL: Me sa duket pa shumë sukses. A është kjo arsyeja pse po planifikoni "mini-Shengenin" tuaj në Ballkan?

Vuçiç: Ne në Ballkan nuk duam më që të mashtrohemi ose të vihemi kundër njëri-tjetrit nga vendet e mëdha të BE-së. Ideja ime për një zonë mini-Shengen në Ballkan - d.m.th., lëvizja e lirë e mallrave dhe njerëzve - është një kontribut për këtë. Ne jemi duke forcuar bashkëpunimin ekonomik. Ne po i japim fund një situate në të cilën kamionët tanë detyrohen të qëndrojnë në çdo kufi për 90 orë. Banka Botërore vlerëson se kjo do të çojë në 3.5 miliardë euro kursime në rajon.

DER SPIEGEL: A mund të ndihmojë ky hap për të shëruar plagët e krijuara nga lufta në Jugosllavi?

Vuçiç: Projekti "mini-Shengen" është një nga gjërat më të mira që ka ndodhur në këtë rajon në 30 vjet. Nuk ka më luftë, as masakra, përkundrazi, një lloj Skandinavie për të varfërit. Ne mund të bëhemi një motor zhvillimi për të gjithë Europën.

DER SPIEGEL: A do të jetë Kosova, e cila ende i përket Serbisë nën ligjin ndërkombëtar (!!!), pjesë e projektit mini-Shengen?

Vuçiç: Kosovarët nuk dinë çfarë duan. Albin Kurti, i cili ka të ngjarë të jetë drejtuesi i tyre i rradhës, tingëllon sikur dëshiron të bëhet udhëheqësi i Shqipërisë së Madhe. Kosova e shikon veten si shtet, por ne nuk e shohim kështu. Sidoqoftë, ne mund të bënim biznes të shkëlqyer me ta.

DER SPIEGEL: Kurti ka njoftuar se planifikon të miratojë një qëndrim më të ashpër ndaj Serbisë. E keni takuar ende?

Vuçiç: Ai dikur fyente vajzën time të mitur dhe i tha asaj që të gjente një shqiptar për t'u martuar. Unë i thashë: "Mëso ca etiketë, o idiot". Një pyetje kam unë: Pse Perëndimi hapi një kuti të Pandorës në vitin 2008 duke njohur Kosovën?

DER SPIEGEL: Jo shumë kohë më parë, ju thatë se ishte "shumë e pamundur" që Serbia të njohë Kosovën brenda kufijve ekzistues. Kjo tingëllon, siç ndodh shpesh me ju, mjaft e paqartë.

Vuçiç: Eshtë e saktë të thuash që pozicioni im nuk përkufizohet qartë. Nëse do të ishte i qartë, ne do t'u mbyllnim derën të gjitha negociatave të mëtejshme, ashtu siç kosovarët bëjnë gjithë kohën. Dua ta mbaj të hapur mundësinë e kompromisit. Dhe për këtë, jam i cilësuar nga bashkatdhetarët e mi, si ish Ministri i Jashtëm Vuk Jeremic, si tradhtari më i madh i të gjitha kohërave.

DER SPIEGEL: Dikur qëndruat, së bashku me Peter Handke, mbi varrin e kriminelit të luftës Slobodan Milosevic. Së fundmi, jeni shprehur se donit të festoni marrjen nga Handke të çmimit Nobel për Letërsinë në Beograd. Çfarë mesazhi doni të jepni?

Vuçiç: Handke është një njeri fantastik, ai mbrojti veten së bashku me ne në një fazë shumë të vështirë për këtë vend. Ne i jemi mirënjohës nga thellësitë e zemrave tona. Ai ka bërë shumë për Serbinë.

Të fundit