Flash News

KRYESORE

Vuçiç informon Sorosin për Zonën Ekonomike Rajonale; Rama asnjë njoftim për takimin

Vuçiç informon Sorosin për Zonën Ekonomike Rajonale;

Kryeministri Edi Rama nuk ka dhënë asnjë informacion për takimin që zhvilloi në Zvërnec me Alexander Soros, djalin e miliarderit George Soros. Gjithsesi, informacionet që nuk jep Rama, i nxjerr miku i tij në Beograd, presidenti Aleksandar Vuçiç.

Zyra e Shtypit e Presidencës serbe ka deklaruar se Vuçiç dhe Soros kanë biseduar për mbështetjen e Fondacionit për integrimin e Serbisë në BE, sundimin e ligjit dhe për reformën në media, kjo e fundit një temë delikate për të cilën nuk jepet më shumë informacion.

Në takim është biseduar edhe për dialogun Kosovë-Serbi. “Presidenti Vuçiç informoi Sorosin dhe anëtarët e delegacionit për situatën në Kosovë dhe për progresin e dialogut Beograd-Prishtinë. Ai (Soros) përshëndeti vazhdimin e dialogut Beograd-Prishtinë dhe rolin konstruktiv të Serbisë në ruajtjen e stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftim.

Një tjetër temë e rëndësishme e diskutimit Vuçiç-Soros dhe që prek gjithashtu Shqipërinë ishte zona ekonomike rajonale në Ballkanin Perëndimor. “Temë e diskutimit ishte edhe mbështetja e Fondacionit për zonën ekonomike rajonale. Alexander Soros shprehu vlerësimin e tij për presidentin serb për mbështetjen që Fondacioni ‘Shoqëria e Hapur’ ka në Serbi”, thuhet nga njoftimin e Presidencës Serbe.

Zona e Lirë Ekonomike u nënshkrua në Samitin e Triestes në vitin 2017-të, por ky projekt është kundërshtuar ashpër nga Kosova dhe Mali i Zi, ndërsa Serbia i ka dhënë mbështetje maksimale.

Ky ishte takimi i katërt në më pak se një vit që Aleksandar Vuçiç zhvillon me Alexander Soros.

Të fundit