Flash News

KRYESORE

Vuçiç ka mbështetjen e Hahn: Tregu i përbashkët ballkanik është ide fantastike… Por Prishtina është kundër

Vuçiç ka mbështetjen e Hahn: Tregu i përbashkët

Komisioneri Evropian për Zgjerim dhe Politikë të Fqinjësisë, Johannes Hahn, tha në Beograd se krijimi i një zone të vetme ekonomike në Ballkanin Perëndimor është ide fantastike, e cila shpreh nevojën për bashkëpunim rajonal.

Ai tha se rajoni ka nevojë që të ecë "një hap më tej në integrimin evropian", dhe se krijimi i një tregu të vetëm në të cilin do të merrnin pjesë vendet e dikurshme të ish-Jugosllavisë, si dhe Shqipëria dhe Kosova, paraqet përgatitje të rajonit për BE. Hahn tha se 20 milion njerëz është një treg shumë tërheqës për investime, që mund të krijojë vlera shtesë për mallra dhe shërbime, më shumë vende pune dhe më shumë investime.

"Sot, rajoni është i fragmentuar dhe më pak tërheqës për investime. Nëse themelohet një treg i vetëm, rajoni do të jetë më tërheqës dhe kjo do të thotë më shumë vende pune, rezistencë më e madhe ndaj sfidave", tha Hahn në konferencën për mediat, pas takimit me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Ai vlerësoi se Serbia ka rolin kyç në rajon, sepse është vendi më i madh, dhe se për këtë arsye mban përgjegjësi të madhe.

I pyetur në lidhje me "Planin Marshall" të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Hahn ka thënë se ky plan tregon "përkushtimin e shteteve anëtare, posaçërisht të Gjermanisë për investime dhe angazhim të mëtejshëm në rajon", dhe jo shkëmbim për anëtarësim në BE.

Vuçiç ka thënë se krijimi i një zone të vetme ekonomike në Ballkan është i nevojshëm që të ketë më shumë investitorë në rajon.

Por ky propozim që ka marrë edhe mbështetjen e Tiranës Zyrtare, ka gjetur kundërshtim në Prishtinë. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka theksuar se ideja për një treg të përbashkët të Ballkanit Perëndimor është përpjekje e Serbisë për të dominuar rajonin. Ai shprehu qëndrimin kundër të shtetit të tij për këtë projekt.

Të fundit