Flash News

KRYESORE

Vuçiç: Kosova dhe Serbia s’janë afër arritjes së marrëveshjes për territoret

Vuçiç: Kosova dhe Serbia s’janë afër arritjes

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç është shprehur se Beogradi dhe Prishtina nuk janë fare afër arritjes së marrëveshjes sa i përket shkëmbimit të territoreve. Megjithatë, ai është zotuar se do t’i informojë qytetarët në Serbi nëse marrëveshja arrihet duke e prezantuar atë para opinionit.

“Është shumë vështirë të arrijmë çfarëdo marrëveshje. Nuk jemi afër, nuk ka marrëveshje. Se a jemi afër zgjidhjes, nuk jemi, jemi mjaft  larg saj. Por, nëse arrijmë një marrëveshje të tillë, unë do t’i informojë qytetarët,” tha Vuçiç, shkruan Radio Evropa e Lirë.

I pyetur nga gazetarët nëse përfaqësuesit shqiptarë nga komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë do të shkojnë në Tiranë për bisedime, Vuçiç është shprehur se nuk ka frikë nga bisedimet e tilla.

"Le t’i presim rezultatet dhe kështu mund të shohim se kush çka ka fituar, e kush çka ka humbur. Në marrëveshjen eventuale me shqiptarët, duhet ta dimë që të gjithë do të humbim ngapak”, është shprehur më tej Vuçiç.

Ai tha se ditët në vijim do të takohet me kryeministrin  Edi Rama dhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.

Të fundit