Flash News

KRYESORE

Vuçiç merr mbështetjen e Putin: Do angazhohemi në dialogun Kosovë-Serbi. Thaçi dhe Haradinaj provokuan lëvizjen por nuk kanë ende miratimin e SHBA

Vuçiç merr mbështetjen e Putin: Do angazhohemi në

Një kërkesë e bërë publikisht dhe zyrtarisht nga Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj që SHBA të përfshihet drejtpërdrejtë në dialogun Prishtinë-Beograd, shkaktoi pakënaqësi në Bruksel dhe Përfaqësuesja e Lartë, Federica Mogherini anuloi konferencën me kryeministrin e Kosovës.

Presidenti Thaçi këtë kërkesë ia ka bërë edhe zv/presidentit Mike Pence, gjatë vizitës në Uashington, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje pozitive nga administrata e Donald Trump.

Por ndonëse ishte Prishtina ajo që provokoi zgjerimin me aktorë të tjerë të tryezës së bisedimeve, Beogradi është treguar më i shkathët dhe tashmë e ka miratimin e Moskës.

Gjatë vizitës që zhvilloi së fundmi në Rusi, Aleksandar Vuçiç u takua me homologun Vladimir Putin, të cilit i ka kërkuar përfshirjen në dialog nëse amerikanët miratojnë kërkesën e Kosovës.

“Na takonte ne të pyesnim rusët dhe kemi arritur në një lloj marrëveshje. Çdo ditë, pala shqiptare këmbëngul në përfshirjen e amerikanëve. Ata po e kërkojnë, por askush nuk e ka miratuar. Nëse dikush thotë se amerikanët duhet t’i bashkohen negociatave, ne do të kërkojmë që dikush tjetër të bashkohet gjithashtu”, u shpreh Vuçiç pas takimit me Putin.

Gjithsesi, zyra e shtypit e presidentit rus nuk bëri komente për këtë çështje por theksoi se “Kosova ishte trajtuar seriozisht gjatë bisedës”.

Por ndërkohë që serbët e kanë tashmë miratimin e Moskës, Prishtina nuk ka gjetur ende mbështetjen e Uashingtonit. Madje, Thaçi duket i kapur në befasi nga gatishmëria e rusëve për t’u përfshirë në negociata, duke deklaruar në Kuvend se “Kosova nuk është Siria” për të përjashtuar në këtë mënyrë përfshirjen e Rusisë, ndonëse ishte i pari që kërkoi zgjerimin e tryezës.

Të fundit