Flash News

KRYESORE

Vuçiç: Shpresoj që Kosova mos të bëjë si Mali i Zi për ligjin e lirive fetare

Vuçiç: Shpresoj që Kosova mos të bëjë si Mali

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç shpreson që Kosova të mos të ndjekë shembullin e Malit të Zi për Ligjin për lirinë fetare. Kreu i shtetit serb nuk do që ta mendojë që shqiptarët do të tentojnë të thonë se kishat serbe i përkasin trashëgimisë kulturore shqiptare.

“Kam dëgjuar ide të tilla, sikurse edhe ju, i përcjell ato edhe sipas detyrës zyrtare. Shoh se veçse kanë nisur të flasin për Gashët, për disa që janë të lidhur me Deçanin, dhe për të tjerë që janë të lidhur me kishat tona. Nuk mund të di, nuk dua të jem një zog ogurzi dhe shpresoj që ata të mos e ndjekin këtë shembull dhe që nuk do të përpiqen të na bindin që Deçani, Graçanica, Virgjëresha Levishka, Zoçishta apo cilado nga vendet tona të shenjta i përkasin trashëgimisë kulturore shqiptare”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se serbët do të kenë forcën që në mënyrë racionale e të zgjuar dhe me mjete paqësore, në rrugë diplomatike, të luftojmë e të mbrojmë shenjtoret tona.

Referuar ligjit për lirinë e besimit ose të bindjeve fetare dhe statusin juridik të bashkësive fetare në Mal të Zi, shteti mund të përvetësojë pronat, për të cilat Kisha nuk mund të dëshmojë se i përkisnin asaj para vitit 1918.

Miratimi i ligjit për komunitetet fetare është shoqëruar me protesta, dhunë dhe arrestime në Parlamentin e Malit të Zi. Qindra përkrahës të opozitës pro-serbe dolën në rrugët e Podgoricës. Kisha Ortodokse Serbe pretendon se ligji synon që t'i heqë pronën, duke përfshirë dhjetëra manastire mesjetare dhe kisha.

Të fundit