Flash News

KRYESORE

Xhafaj bind ekspertin holandez të mbrojë Qeverinë në ‘Financial Times’: “Reformatorët në pushtet po përballen me forcat revanshiste”

Xhafaj bind ekspertin holandez të mbrojë Qeverinë në

‘Financial Times’ është publikuar një shkrim me titull “BE duhet të mbrojë, jo të hedh poshtë, reformat e Shqipërisë”, i autorit holandez Willem van Nieuwkerk, i cili nuk është pjesë e kësaj media, por shkruan si autor i jashtëm.

Nieuwkerk, drejtor i Qendrës për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Hagë (CLIC), thotë se “një agjendë e mirëmenduar reformuese është zbatuar në Republikën e Shqipërisë duke treguar se është e mundur të mbillet dhe të rritet besimi në sundimin e ligjit në një vend ish komunist.”

Autori shpreh keqardhje për vendimin e Parlamentit dhe Qeverisë së tij, për të bllokuar hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian sepse kjo do të sjellë pasoja për reformat në vendin tonë.

“Për fat të keq, pavarësisht rolit kyç të ekspertëve holandezë, përfshirë edhe organizatën time në zhvillimin e këtyre reformave, parlamenti hollandez sapo i ka kërkuar qeverisë që të bllokojë progresin e mëtejshëm në bisedimet zyrtare të pranimit në BE me këtë vend. Unë i kuptoj presionet politike holandeze që qëndrojnë prapa këtij veprimi, por mund të ndiej vetëm keqardhje për ndërlikimet ndërkombëtare që ky vendim mund të sjellë dhe për pasojat e mundshme mbi vetë Shqipërinë”, shkruan Nieuwkerk.

Në artikull, Willem van Nieuwkerk flet për reformatorët që janë aktualisht në pushtet, duke iu referuar Qeverisë së kryeministrit Edi Rama, të cilët pa negociatat mund të mos jenë në gjendje të përballojë “forcat revanshiste” (sulmon opozitën shqiptare) që po punojnë, sipas tij, kundër ndryshime pozitive në Shqipëri.

“Vetoja e ardhshme holandeze në mbledhjen e Këshillit Europian në 28-29 Qershor mund ta ngadalësojë ose ndalë këtë proces. Pa dakordësinë e BE-së për të hedhur hapin e ardhshëm në rrugën e Shqipërisë drejt Integrimit Europian, reformatorët aktualisht në pushtet mund të mos jenë në gjendje të përballojnë forcat revanshiste që po punojnë kundër ndryshimeve. Në një vend ku sipas sondazheve, 80 përqind e publikut ka mbështetur pranimin në BE, mund të zërë vend zhgënjimi. Dhe lufta kundër korrupsionit, kundër krimit ndërkombëtar, (kundër të gjitha gjërave që parlamentarët hollandezë thonë se kanë frikë), mund të ndalet”, shprehet Nieuwkerk.

Ky shkrim i Willem van Nieuwkerk në ‘FT’, ku Qeveria shqiptare konsiderohet “reformatore” dhe opozita klasifikohet “forcë revanshiste”, vjen disa javë pasi ministrat e Ramës, Fatmir Xhafaj dhe Etilda Gjonaj, morën pjesë në një tryezë diskutimi me temë “Shteti i së drejtës në Shqipëri dhe kontributi holandez dhe i Bashkimit Evropian”, e organizuar pikërisht nga qendra që drejtohet nga autori i sipërcituar.

Ambasada Shqiptare në Holandë dhe Qendra për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (CLIC), organizuan këtë tryezë, ku ministri Xhafaj dhe ministrja Gjonaj folën për rezultatet e reformës në drejtësi, në një kohë kur opozita dhe shumë ekspertë po shprehen për dështimin e kësaj reforme pasi po bllokohet ngritja e institucioneve që kanë për funksion hetimin e deputetëve, ministrave dhe kryeministrit. /Politiko.al

Të fundit