Flash News

KRYESORE

Xhafaj, letër publike vartësve: Ka policë të lidhur me krimin, apo të vënë në shërbim të tij...

Xhafaj, letër publike vartësve: Ka policë të lidhur me

Afro një muaj, pasi ka rimarrë detyrën e tij, Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, e nis si paraardhësi i tij, Saimir Tahiri, me një letër vlerësimi e besimi çdo polici, me anë të së cilës kërkon t’i japë kurajë më shumë vetes se vartësve. Xhafaj ka ndërruar adresë, por jo huqet. Ai iu është prezantuar punonjësve të policisë me një adresë e-mail-i të posaçme, e cila do të shërbejë si një mundësi e drejtpërdrejtë komunikimi për çdo mendim, sugjerim konkret, apo shqetësim në funksion të përmirësimit të punës dhe rolit të Policisë së Shtetit. Gjatë kësaj jave, në këtë adresë kanë mbërritur disa mesazhe nga punonjës të thjeshtë të Policisë së Shtetit nëpërmjet të cilëve shprehin shqetësime e propozime konkrete, që janë bërë objekt i trajtimit me prioritet nga vetë Ministri dhe stafi i tij. Tre javë pas marrjes së detyrës Xhafaj, sikurse qeveria ku ai bën pjesë, nuk ka ndonjë rezultat të dukshëm, as ndonjë reformë që ka nisur, përveç vettingut, që kërkon dhe në radhët e policisë. Rendi dhe siguria lënë shumë për të dëshiruar. Dje, në mes të Vlorës u bë një atentat mafioz, sasira të mëdha droge qarkullojnë në gjithë vendin, aksidente dhe dhuna në familje shtohen, trafiku i drogës dhe qenive nuk njeh pushim, madje edhe jashtë tij nëpërmjet kufijve, krimi i organizuar po riorganizohet, në forma të tjera. Ende nuk po bie era shtet!

Xhafaj kërkon besim, kërkon mbështetje tek punonjësit e tij, “Do të duhet të ndajmë nga trupi i shëndetshëm i Policisë së Shtetit çdo gjymtyrë të gangrenizuar, të lidhur me krimin, të vënë në shërbim të tij apo dhe që ka fjetur gjumë përpara krimit. Për këtë arsye, akti im i parë si Ministër i Brendshëm, shënoi nisjen e procesit për organizimin e Vetting-ut për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit. Pjesë e këtij shërbimi do të jenë vetëm njerëz profesionalisht të aftë dhe me integritet të lartë moral”, shkruan Xhafaj.

Në fund Xhafaj kërkon prej tyre përkushtim maksimal dhe u kujton se “Inkurajoj dhe mirëpres nga ju çdo mendim, sugjerim konkret, apo shqetësim ndaj kujtdo qoftë ai, në funksion të përmirësimit të punës, rolit dhe reputacionit të Policisë së Shtetit. Ndaj, ju lutem mos ngurroni të më shkruani në adresën: [email protected], e cila do të jetë në dispozicionin tuaj dhe vëmendjen time.

Çdokush që ka një shqetësim do të marrë një përgjigje serioze. Çdokush që ka një ide do të dëgjohet me vëmendje maksimale”, përfundon minstri Xhafaj.

 

Të fundit