Flash News

KRYESORE

Zaev nxeh shqiptarët dhe serbët: Gabim njohja e Kosovës. Përgjigjet Daçiç: Shkupi brenda “Shqipërisë së Madhe”

Zaev nxeh shqiptarët dhe serbët: Gabim njohja e Kosovës.

Kur po përgatitet për të krijuar qeverinë e re, Zoran Zaev nuk duket shumë i qartë në politikën që do të ndjekë me shtetet fqinje.

Ka mjaftuar një intervistë për portalin serb “Kurir”, që Zaev të shkaktojë pakënaqësi të mëdha te shqiptarët, serbët dhe maqedonasit.

Zaev ka thënë se maqedonasit dhe serbët janë “popuj vëllezër, për shkak se janë të krishterë ortodoksë”, dhe sipas tij, ata duhet ta ndihmojnë gjithnjë njëri-tjetrin. Kryeministri i ardhshëm i Maqedonisë e ka konsideruar gabim njohjen e pavarësisë së Kosovës, ndërsa ka kundërshtuar votën pro Prishtinës në UNESCO nga qeveria e Nikolla Gruevskit. Zaev tha se kishat në Kosovë janë trashëgimi dhe zemra e Serbisë.

Këto deklarata kanë shkaktuar pakënaqësi në Kosovë dhe te shqiptarët e Maqedonisë.

Megjithatë, Zaev ka nxehur edhe Beogradin, pasi u shpreh se në Serbi janë duke udhëhequr forcat nacionaliste.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiç, i cili pyet “përse Zaev nuk sulmon Ramën dhe Thaçin, por e bën këtë me Vuçiçin?”, sipas tij, lideri i LSDM “nuk mund të jetë aq naiv sa të mos e kuptojë se Shqipëria e Madhe nuk do jetë e kompletuar pa Shkupin brenda saj”.

Zemërim te maqedonasit ka shkaktuar përgjigjja në bullgarisht për marrëdhëniet shumë të mira që Zaev do të ndërtojë me Sofien, shtet që konteston etnicitetin e shtetasve të Maqedonisë.

Të fundit