Flash News

KRYESORE

Zanetti beson te sulmi i tij, habit me deklaratën për Lukakun dhe Lautaron

Zanetti beson te sulmi i tij, habit me deklaratën për Lukakun dhe

Interi beson se mund të rivalizojë deri në fund të sezonit për titullin kampion. Zëvendëspresidenti Javier Zanetti ka folur në lidhje me të ardhmen e klubit të tij dhe beson se zikaltrit do të kenë mjaft suksese me Lautaron dhe Lukakun.

TRAJNERI – “Kemi nisur një rrugëtim me Antonio Conten dhe ky është një vit shumë i rëndësishëm për ne. Duam të jemi protagonistë në kampionat. Antonio ka shumë personalitet, ka eksperiencë dhe gjërat po na shkojnë mbarë. Champions na la një shije të hidhur për mënyrën se si u eliminuam. Ishim në një grup të vështirë, por zhvilluam ndeshje të mira kundër Barcelonës dhe Borussia Dortmund. Tani duhet të bëjmë mirë në Europa League, duam të mbërrijmë në finale“.

TITULLI – “Juventusi ka një skuadër të fortë dhe ka shumë alternativa në stol. Conte e njeh mirë Serie A dhe puna e tij po jep fryte. Shpresoj të rivalizojmë për titull deri në fund të sezonit me Juventusin. Tifozët duan të fitojmë menjëherë, njësoj si në çdo vend të botës, por jemi në një proces rritje dhe nevojitet kohë. Duhet t’i japim kohë trajnerit dhe në fund do të shpërblehemi“.

SULMI – “Lautaro po bën gjëra të rëndësishme. Po tregon se është një lojtar shumë i mirë dhe ka të ardhme të madhe. Është vetëm 22 vjeç, ka ende për të dhënë, por ndodhet në rrugën e duhur. Jemi të lumtur që mban veshur fanellën tonë. E dinim që do të bëhej lojtari që është.

Merret vesh shumë mirë me Lukakun, ka merita edhe Conte në këtë harmoni mes sulmuesve. Kur morëm Lukakun e kishim të qartë që do të merrej vesh mirë në fushë me Lautaron. E tashmja jonë me këta dy sulmues është shumë e mirë“, përfundon Javier Zanetti.

Të fundit