Flash News

KRYESORE

Zbardhet dinamika e ngjarjes në ish-Bllok, izolohet lokali ‘i mbushur në gjak’, truproja i Ervis Martinajt qëlloi i pari

Zbardhen detaje të reja sa i takon ngjarjes së mbrëmshme në një lokal të njohur në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.

Siç duket edhe nga pamjet, lokali është izoluar me shiritat e policisë dhe ndalohet të futen personat e paautorizuar.

Sipas gazetares së News 24, Dorjana Bezat, në lokal është ruajtur skena e krimit, pasi sipas të dhënave të deritanishme në brendësi të ambienteve të brendshme ka ende prani gjaku të viktimës dhe të plagosurve.

Nga 10 të shtënat e konfirmuara, mbeti i vdekur Rigers Gaxha, truproja i Ervis Martinajt, ky i fundit i plagosur me një plumb në qafë.

Po ashtu, i plagosur dhe në rrezik për jetën mbeti edhe Laert Hasa. Mësohet se sherri mes dy palëve ka nisur fillimisht me një sherr verbal e fizik e më pas me përplasje armësh në prani të shumë personave të tjerë në lokal.

Nga pamjet e sekuestruara nga kamerat e sigurisë, ka qenë viktima ai i cili ka qëlluar i pari me grusht dhe ka përdorur më pas armën e zjarrit, ndërsa mbeti vetë i vdekur nga të shkëmbimi me armë.

Nuk dihet nëse ka qenë një konflikt i çastit, apo i mbartur, ndërsa policia po heton në disa pista.

Deri tani, janë shoqëruar 50 persona, nën cilësinë e dëshmitarëve që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen, madje masa të rrepta sigurie janë zbatuar edhe në Spitalin e Traumës ku u dërguan të plagosurit, nga frika e përshkallëzimit të konfliktit.

Konflikti në 2015-ën

Kujtojmë se Ervis Martinaj ka qenë prezent edhe në një tjetër ngjarje, thuajse të ngjashme në një lokal në Linzë në vitin 2015.

Nga kjo ngjarje mbeti i vdekur Enton Nika. Edhe në këtë rast, konflikti ka nisur me një konfrontim fizik dhe më pas në përdorimin e armëve.

Nga kjo ngjarje, ai u dënua 1 vit e 4 muaj burg, pasi edhe nga verifikimi i kamerave të sigurisë rezultoi se ai nuk ishte autori i vrasjes, siç u dyshua fillimisht. Ai u dënua për ‘moskallëzim krimi’ dhe mbështetje të autorit.

Të fundit