Flash News

KRYESORE

Zbardhet drafti i qeverisë, si do të sekuestrohet pasuria e ‘KÇK-së’ nga ‘Komiteti’ brenda vitit dhe cilat janë strukturat në varësi   

Zbardhet drafti i qeverisë, si do të sekuestrohet pasuria e

Të premten, qeveria miratoi paketën e shumëpërfolur ‘anti-KÇK’, e cila ka si synim që brenda këtij viti (deri më 31 dhjetor 2020) të sekuestrojë pasuritë e paligjshme e të gjithë personave që i kanë shpëtuar dënimit, ata që janë të akuzuar dhe të dyshuar për krim të organizuar, trafiqe dhe krime të rënda.

Akti normativ parashikon që të gjithë këta subjekte, përfshirë edhe familjarët e tyre, e persona të tretë, do duhet të provojnë se banesat, tokat, llogaritë bankare, makinat etj., janë ndërtuar dhe përvetësuar me të ardhura të ligjshme, në të kundërt do të konfiskohen.

Për kë, "Operacioni Forca e Ligjit (OFL)” është strukturë e veçantë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit që do shërbejë për parandalimin, zbulimin, dokumentimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe krimeve të rënda.

Komiteti Kombëtar i Koordinimit

Për efekt të zbatimit të këtij akti normativ, krijohet Komiteti Kombëtar i Koordinimit për Parandalimin dhe Luftën Kundër Krimit të Organizuar.

Komiteti kryesohet nga ministri i Brendshëm dhe ka në përbërje ministrin e Drejtësisë, ministrin e Financave dhe Ekonomisë, Prokurorin e Përgjithshëm, drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtorin e Qendrës së Koordonimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave.

Komiteti mblidhet të paktën një herë në tre muaj dhe i paraqet raport periodik Këshillit të Ministrave. Komiteti, me propozimin e ministrit të Brendshëm, miraton rregulla të hollësishme për funksionimin e tij.

Ekzekutimi i sekuestros

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, pasi i ka bërë me dije subjektit të interesuar urdhrin e sekuestros, merr masa për vënien në ekzekutim të tij nëpërmjet dorëzimit të pasurisë, objekt i urdhrit të sekuestrimit, Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara.  Bazuar në rrethanat dhe informacionet e verifikuara, Policia e Shtetit mund të urdhërojë evakuimin e ndërtesave të cilat janë objekt i masës së sekuestros. Me udhëzim të ministrit të Brendshëm parashikohen kushtet e zbatimit të këtij urdhri.

Vendimi i formës së prerë së gjykatës kompetente për vënien e sekuestros zbatohet menjëherë.

Gjykata vendos masën parandaluese pasurore të konfiskimit sipas parashikimit të kësaj pike kur:

mbi pasurinë është vendosur masa e sekuestros;

ka dyshime të arsyeshme, bazuar në elemente të faktit, për pjesëmarrjen e personit në veprimtari kriminale, të parashikuara në nenin 5 të këtij akti normativ;

nuk mund të provohet përpara gjykatës origjina e ligjshme e burimit të krijimit të pasurisë apo personi nuk justifikon zotërimin e pasurive ose të të ardhurave, që janë shpërpjesëtimore dhe nuk i përgjigjen dukshëm nivelit të të ardhurave, fitimeve apo veprimtarive të ligjshme, të deklaruara dhe as nuk justifikohen prej tyre.

Gjykata duhet të shprehet me vendim për konfiskimin e pasurive të sekuestruara, brenda 6 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës për konfiskim.

Reagimet

SHBA-ja dhe BE-ja ende nuk kanë një qëndrim për paketën e re ligjore të quajtur “Anti KÇK”, që sipas qeverisë shqiptare synon forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, terrorizimit dhe krimeve të tjera të rënda, pasi nuk e kanë parë me imtësi.

Para dy javësh, më 13 janar, duke bërë të ditur planet për hartimin e pritshëm të kësaj pakete, kryeministri Edi Rama tha se për këtë paketë po konsultohet edhe me dy partnerët, SHBA dhe BE.

Nga ana tjetër opozita, ka skepticizëm për këtë paketë ligjore, që e quan një nismë propagandistike. Po ashtu, dhjetëra organiza kanë dalë kundër nismës si Komiteti Shqiptar i Helsinkit ; Instituti për Studime Politike (ISP) ; Birn Albania ; Instituti Shqiptar i Shkencës ; Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI) ; Instituti i Kërkimeve Urbane ; Fondacioni Shqiptar për të drejtat e personave me Aftësi të Kufizuar ; Qendra Altri ; Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes ; Qendra për Nisma Ligjore Qytetare ; Civil Rights Defenders ; INAC.

Drafti i plotë

file:///C:/Users/user/Downloads/AKT-NORMATIV-MASAT-PARANDALUESE-TERRORIZMI%20(1)-converted%20(2).pdf

Të fundit