Flash News

KRYESORE

Zbardhet letra me shkrim dore e Françesk Radit për Celentanon: Sa herë na kanë dërguar në polici për këngët e tua

Zbardhet letra e Françesk Radit, kantautorit të ndjerë, drejtuar emrit të madh të muzikës italiane, Adriano Celentano.

Letra e shkruar me shkrim dore nuk iu dërgua asnjëherë. Shqiptarja,com ka publikuar letrën, e cila ruhet me mjaft fanatizëm nga bashkëshortja e tij, Tefta Radi.

Ndër rreshta, kantautori që u nda nga jeta dy vjet më parë, shkruan mes emocionesh, frymëzimin që ka ndjerë prej këngëve të Celentanos në vitet kur muzika e tij ishte e ndaluar nga sistemi komunist.

Përmbajtja e letrës së Radit për Celentanon 

“I dashur Adriano!

Asnjëherë nuk ka qenë e lehtë të flasësh për ty, sepse madhështia juaj nuk ka kufi, nuk ka moshë, por vetëm pafundësi. Ti për ne shqiptarët ke qenë dhe mbetesh figura më demokrate e kohës. Ishe Ti, shpirti yt, që me këngët  e tua ushqente dhe vuloste në shpirtrat tanë, atë që quhet të qenët i lirë. Ne e dinim që muzika jote ishte një mollë e ndaluar për ne në atë kohë, por ky fenomen nuk na shqetësonte. Ne ishim gati edhe të sakrifikoheshim, vetëm e vetëm që të mbanim gjallë shpirtin, mos ta linim atë të vdiste.

Në qoftë se u përmbys regjimi totalitar, një meritë të madhe kishit edhe Ju Adriano, sepse ishte kënga dhe zëri yt që shqiptarët të shpërthenin zinxhirët e diktaturës antishpirtërore. Ata e dinin se muzika ishte shumë e rrezikshme për ta dhe donin ta prangosnin atë. Por fatkeqësisht nuk e dinin se tingujt nuk mbahen dot në pranga. Me dhjetëra herë na kanë dërguar në polici, sepse këndonim këngët e tua nëpër parqe, lulishte, plazhe, mbrëmje rinore. Ishe Ti Adriano që më dhe frymëzimin e parë për të kënduar dhe kompozuar. Sa herë ulesha për të krijuar, përpara meje shfaqej imazhi yt dhe kjo ma bënte më të sigurt dhe të garantuar suksesin tim. Më vjen keq që nuk e kam patur mundësinë të takohem me ty Adriano, me gjithë përpjekjet e mia të çiltra. Por siç duket ka qenë më e lehtë të këndoj këngët e tua të bukura dhe të vështira, se sa të takohem me ju.”

Të fundit