Flash News

KRYESORE

Zbardhet strategjia elektorale e PS dhe premtimi kyç i fushatës, Rama kërkon përvetësimin e reformës në drejtësi, i rikthehet ’97-ës

Zbardhet strategjia elektorale e PS dhe premtimi kyç i fushatës,

Partia Socialiste u ka dërguar kandidatëve për deputetë nga një udhëzim të shkurtër ku paraqiten pikat kryesore në të cilat do të fokusohet fushata për zgjedhjet parlamentare.

Ndonëse udhëzimi i zbardhur nga ‘Shqiptarja.com’ përmban vetëm disa pika, ato janë të mjaftueshme për të treguar agresivitetin me të cilin kryeministri Edi Rama dhe partia e tij do të kërkojë një mandat të dytë.

Rama u kërkon kandidatëve socialistë që ta përvetësojnë miratimin e reformës në drejtësi, pavarësisht se drafti final u arrit me ndërhyrjet e vazhdueshme të ekspertëve të opozitës dhe Komisionit të Venecias. Gjithashtu, PS do të përdorë një retorikë luftarake duke rikthyer në vëmendje ngjarjet e vitit 1997.

Udhëzimi i PS -Mesazhet e fushatës sonë:

  1. Filloni me çka kemi bërë deri më sot: ndërtimin e shtetit – pagesën e taksave dhe faturave, reformën në polici, ligjin e vetting-ut.
  2. Pranoni se ka ende më shumë për të bërë për të krijuar edhe më shumë vende pune.
  3. Krijoni kontrast me PD-në dhe vini theksin tek ajo çfarë rrezikojmë në këto zgjedhje: nëse do të ecim përpara me PS-në drejt ndërtimit të shtetit, apo nëse do të kthehemi pas me PD-në duke e zhytur vendin në kaos dhe rrënim si në ’97-n.
  4. Bëni premtimin kyç të fushatës: “Ne do të luftojmë për punësim po aq fuqishëm sa ç’luftuam edhe për drejtësinë”.

Sa i përket pikës 3, ku PS kërkon krijimin e kontrastit me PD-në, kandidatët socialistë udhëzohen të bëjnë këto diferenca.

  • PS-ja ndërtoi shtet – PD-ja ka rrënuar shtetin (97)
  • PS-ja do vetting-un – PD-ja kundër vetting-ut
  • PS: Udhëheqje e qëndrueshme dhe hapje për dialog – PD: Agresivitet dhe ekstremizëm
  • PS: Betejë për mbajtjen e premtimeve – PD: Premtime boshe, të dështuara
  • PD: Rezultate reale në Tiranë – PD: Dështimi i premtimeve të Bashës si kryebashkiak

Në udhëzim kërkohet që të tërhiqet vëmendja e votuesve të qendrës, të cilët janë të pavendosur deri në ditën e zgjedhjeve se për kë parti duhet të votojnë.

Të fundit