Flash News

KRYESORE

Zbulimi i ri/ Argjentina dhe Afrika e Jugut u përgatitën për grusht shteti në Shqipëri, kërkuan përfshirjen e Papa Gjon Palit

Përgjatë sundimit brutal të diktatorit Enver Hoxha, njihen disa përpjekje të shteteve perëndimore për të infiltruar agjentë që do të përgatisnin kryengritje në Shqipëri, por deri më tani nuk ka qenë e njohur përpjekja e dy regjimeve të tjera diktatoriale për grusht shteti në vendin tonë.

Në vitin 1980, Argjentina dhe Afrika e Jugut janë përgatitur seriozisht për të organizuar një grusht shteti në Shqipëri, raporton Politiko.al. Tirana nuk ishte objektivi i vetëm, por dy regjimet ushtarake kërkonin të vepronin njësoj edhe në Jugosllavi e në Haiti.

Në librin “Apartheid Guns and Money” publikohen për herë të parë disa dokumenta të deklasifikuara të Inteligjencës Ushtarake të Afrikës së Jugut, të cilat nxjerrin në dritë një plan të çuditshëm për grushte shteti në këto tre shtete, në bashkëpunim me Argjentinën, aleati më i ngushtë i regjimit të aparteidit në shtetin afrikan.

Në vitet 1970 dhe 1980, junta ushtarake në Argjentinë sundonte me anë të terrorit dhe grupet e të drejtave të njeriut vlerësojnë se mbi 30 mijë njerëz janë zhdukur gjatë kësaj periudhe. Junta mori mbështetje në atë kohë nga SHBA, ndërsa për Afrikën e Jugut, diktatura argjentinase paraqiste një mundësi të shkëlqyer për bashkëpunim në të gjithë Atlantikun e Jugut. Gjatë këtyre viteve, tregtia e armëve mes dy vendeve ishte e lartë.

Një bashkëpunim i këtyre dy shteteve, që është mbajtur sekret deri më tani, ishte ai për komplotet që synonin të përmbysnin qeveritë në Haiti, Shqipëri dhe Jugosllavi. Plani ishte përgatitur të vihej në zbatim gjatë Lojrave Olimpike të vitit 1980 që organizoheshin në Moskë. Sipas informacioneve, Bashkimi Sovjetik do të ishte i fokusuar në organizimin e këtij eventi, çka do të ulte vëmendjen ndaj kësaj pjese të Evropës. Dy regjimet diktatoriale në Argjentinë dhe Afrikën e Jugut ishin të djathta dhe të deklaruara si antikomuniste, ndaj plani i tyre ishte perfekt për të poshtëruar perandorinë sovjetike. Gjithsesi, as Beogradi dhe as Tirana nuk ndiqnin në atë periudhë një politikë pro-Moskës.

Dekoumentat e deklasifikuara nxjerrin emrin e ish-diplomatit amerikan dhe ish-agjentit të CIA-s, Stephen A Koczak, si të përfshirë në këtë çështje. Nuk sqarohet se si Koczak kishte arritur të depërtonte në qarqet e inteligjencës së këtyre dy shteteve, gjithsesi plani i tij u mor seriozisht nga drejtuesit.

Fillimisht ishte përgatitur grushti i shtetit në Haiti dhe zëvendësimi i presidentit Jean-Claude 'Baby Doc' Duvalier nga bankieri Clemard Charles. Charles ishte zotuar të ndërpriste marrëdhëniet me Kubën e Fidel Kastros nëse vinte në pushtet. Por në fund, inteligjenca ushtarake e Afrikës së Jugut u tërhoq nga mbështetja.

Kur përpjekja për përmbysjen e qeverisë në shtetin e Karaibeve kishte dështuar, afrikanët e jugut dhe argjentinasit u fokusuan te Shqipëria dhe Jugosllavia. Plani do të vihej në zbatim në mes të korrikut dhe në fillim të gushtit 1980.

Në nëntor të 1979-ës, dokumentat tregojnë për një mbështetje me shkrim të Stephen A Koczak për Afrikën e Jugut dhe miratimin e bashkëpunimit me Argjentinën.

Ky projekt do të mbështetej nga ushtria argjentinase. Forcat Ajrore dhe ato të Marinës, si dhe shërbimet e inteligjencës, kishin rënë dakord të trajnonin 1500 ushtarë kroatë për operacionin. Do ishin kroatët ata që do të nisnin valën kundër regjimit të Beogradit brenda Jugosllavisë. Pasi të ishin trajnuar në Argjentinë dhe Afrikë, ushtarët kroatë do të hynin në Jugosllavi nëpërmjet anijeve, si punëtorë emigrantë të rikthyer në vendin e tyre. Pilotët kroatë që bënin pjesë në flotën ajrore do të dezertonin, çka do e bënte të pamundur shtypjen e grushtit të shtetit nga Beogradi.

Ndërkohë, planet për një revolucion kishin nisur në Shqipëri. Grushti i shtetit në vendin tonë do të fillonte tre ose katër ditë pasi operacioni të ishte përmbyllur në Kroaci dhe forcat kroate do të dërgonin anije për të mbështetur luftëtarët shqiptarë.

Dokumentet tregojnë gjithashtu se ushtria argjentinase do të angazhonte disa kardinalë në Vatikan për të marrë miratimin e tyre për këto grushte shteti. Një memo e një atasheu ushtarak i Afrikës së Jugut në Uashington tregon se “argjentinasit donin të siguroheshin që Vatikani ishte i angazhuar për të eliminuar elementët liberalë në Kishën Katolike”. Ushtarakët argjentinas e shihnin me shqetësim ngritjen e katolikëve liberalë në Vatikan, të cilët mbështesnin drejtësinë sociale në Amerikën Latine.

Nga ana tjetër, afrikano-jugorët e shihnin pozitivisht zgjedhjen e Papa Gjon Pallit II në krye të Vatikanit. Një polak antikomunist, te i cili ata besonin se do të mbështetese komplotin në Jugosllavi dhe Shqipëri, raporton Politiko.al.

Gjithsesi, asnjë nga tri tentativat për grusht shteti nuk u realizua dhe dokumentat nuk tregojnë arsyet. Megjithatë, dyshohet se zyrtarët e Afrikës së Jugut dhe Argjentinës mund të kenë vënë në pikëpyetje seriozitetin e të përfshirëve në këtë tentativë, ose komplotet mund të jenë shmangur nga agjencitë e tjera sekrete të Evropës Perëndimore. Në atë periudhë, Shqipëria dhe Jugosllavia nuk mbanin një linjë pro Bashkimit Sovjetik.

Presidenti jugosllav, Josip Broz Tito, vdiq në maj të 1980-ës, ndërsa SHBA dhe 60 shtete të tjera bojkotuan Olimpiadën e Moskës për shkak të pushtimit të Afganistanit nga sovjetikët. Ngjarje që mund të kenë ndikuar shumë në planin e Afrikës së Jugut dhe Argjentinës. /Politiko.al

Të fundit