Flash News

KRYESORE

Zëri i Amerikës: Në 2017-ën shqiptarët shpenzuan mbi 16.2 miliardë lekë në tregun e bixhozit, lojërat e fatit kanë shënuar rritje

Zëri i Amerikës: Në 2017-ën shqiptarët shpenzuan mbi

‘Zëri i Amerikës’ ka transmetuar një kronikë sa i takon debatit të lojërave të fatit në Shqipëri.

Në kronikë thuhet se të dhënat e siguruara nga Zëri i Amerikës tregojnë se tregu i lojërave të fatit ka shënuar rritje me 25 për qind të të ardhurave dhe 68 për qind të fitimeve nga viti 2015 deri në fund të vitit 2017.

Për vitin 2017, shqiptarët shpenzuan mbi 16.2 miliardë lekë [148 milionë dollarë] në tregun e bixhozit, i cili zotëron mbi 4 mijë pika të shpërndara në çdo cep të vendit dhe ndahet mes 20 kompanive të licensuara nga Autoriteti Mbikëqyrës.

“Operatori më i madh i lojërave të fatit është kompania austriake Novomatic AG, e cila ka një shtrirje të gjerë në vendet e Ballkanit. Në Shqipëri, Novomatic zotëron përmes kompanive bijë Lotarinë Kombëtare dhe kazinotë elektronike Asta Albania dhe Adriatik Game. Vetëm për vitin 2017, ato realizuan së bashku të ardhura me vlerë 4.6 miliardë lekë dhe fitime prej 526 milionë lekësh.

Kompania e dytë me të ardhurat më të larta është Apex Al, e cila së bashku me operatorin e tjetër të zotëruar prej saj, VLT Albania, realizuan mbi 3.5 miliardë lekë në tregun e kazinove elektronike. Apex është kompania me fitimet më të larta të deklaruara për vitin 2017 në vlerën e 2 miliardë lekëve ose rreth 60 për qind të të ardhurave.

Kompanitë e basteve sportive janë rrudhur nga 5 në 3 gjatë viteve 2015-2018. Kompanitë e mbetura në treg, Top Start, Lloto Sport dhe I.T.S.G.A realizuan së bashku të ardhura me vlerë 5.8 miliardë lekë, nga të cilat 88 milionë lekë fitime në 2017.

Ndërsa 15 operatorët e tjerë ndajnë mes tyre më pak se 15 % të tregut”, thuhet në kronikën e transmetuar nga ‘Zëri i Amerikës’.

Të fundit