Flash News

KRYESORE

Zgjedhja e drejtorit të spitalit të Shkodrës, mjekët i dërgojnë letër zv/kryeministres: Konkursi farsë, fitoi politika

Zgjedhja e drejtorit të spitalit të Shkodrës, mjekët i

Zgjedhja e drejtorit te ri të spitalit rajonal të Shkodrës kundërshtohet nga stafi i spitalit. Komisioni mjekësor i spitalit të Shkodrës kundërshton zgjedhjen e Vilson Masmalajt si drejtor i këtij instutucioni . Ky komision i ka dërguar një kërkesë zv/kryeministres Mesi, ministrit të jashtëm Bushati dhe deputetëve të partisë socialiste Shkodër, përmes së cilës kërkon të dijë kriteret e përzgjedhjes së këtij kandidati, që sipas këtij komisioni Masmalaj nuk është përzgjedhur sipas kritereve të lançuara në fillim.

"Në mbledhjen e radhës të komisionit mjekësor të spitalit të Shkodrës, ku morën pjesë edhe shumë mjekë të tjerë, u mor në shqyrtim procesi i përzgjedhjes së drejtorit të spitalit. Që në fillim shprehim që përzgjedhja e drejtuesve të spitaleve me një konkurs të hapur ku konkurronin projektet dhe CV-të e kandidatëve ka qenë i mirëpritur nga ne, duke i dhënë fund përzgjedhjes së rastësishme të kandidatëve që nuk përfaqësonin denjësisht traditën më të mirë të spitalit të Shkodrës, por edhe kontributin e përkushtimin e shumë mjekëve që kontribuojnë aktualisht. Vetë përzgjedhja e një komisioni me figura të rëndësishme të shëndetësisë shqiptare por edhe staf menaxherial të huaj është përsëri fakt i mirëpritur nga ne për të rritur besimin në përzgjedhjen e duhur të kandidatit. Por, fakti që pas konkursit u deshën 3 javë për të sjellë këtë produkt tek ne e kompromenton të gjithë procesin dhe vë në dyshim faktin që përzgjedhja nuk është kryer sipas kritereve të lançuar në fillim nga komisioni i krijuar për këtë qëllim, por sipas oreksit politik, gjë që në fakt nuk përbën asnjë risi për ne, por thjesht vijueshmëri e përzgjedhjes së drejtuesve mbi bazën e ndershmërisë politike dhe jo meritokracisë siç është bërë deri tani. Kërkojmë nga ministria që të na bëjë të ditur si ka ardhur në vendimin e përzgjedhjes së titullarit të Spitalit Rajonal të Shkodrës. Kërkojmë nga ministria të na informojë mbi çfarë baze është bërë klasifikimi i kandidatëve dhe përse është dashur një kohë kaq e gjatë për të ardhë në këtë vendimmarrje.” – shkruhet në kërkesën e komisionit mjekësor të Spitalit Rajonal të Shkodrës. (Fax News)

Të fundit