Flash News

OP-ED

Zgjedhja finoke e Ramës për FSHF-në

Gentian Gaba

Ditën e enjte, ish-kryeministri, ish-ministri, ish-kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, deputeti i Partisë Socialiste dhe sekretari organizativ i saj Bashkim Fino, zyrtarizoi kandidimin e tij për postin më të lartë në Federatën Shqiptare të Futbollit. Mesa duket, përveç tepsisë dhe timonit, Kryeministri do edhe topin. Po, po, Kryeministri, jo thjeshtë Fino.

Deputeti, në këtë rast, thjeshtëzohet në një krah ose në një dorë (atë të majtën) e cila, e shtyrë nga një refleks i papërmbajtshëm prej kleptomani, kërkon të futet në çdo xhep të shoqërisë; jo vetëm institucionet politike dhe të drejtësisë, por edhe të futbollit, i cili nuk është thjeshtë një lojë, por një fenomen social që ka hyrë në shenjestrën e mazhorancës.

 E do edhe këtë trofe. E do Kryeministri për lojën e tij politike; për të pasur një send këmbimi, dhe ajo që kërkon të marrë mbrapsht nëpërmjet FSHF-së është akoma më shumë pushtet. Për këtë arsye bulçitë e qeverisë po fryjnë në drejtim të Bashkim Finos; po fryn një top i cili është mjeti, vegla, ose zgjedhja finoke për të futur dorën edhe në “qeverinë e futbollit”.

 Po atë ditë në të cilën deputeti socialist shpalli kandidaturën, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar një kontroll mbi një numër të madh klubesh futbolli, pjesëmarrëse në të gjitha kategoritë. Kontrolli do të nisë më 22 janar, dhe do të përfundojë më 7 shkurt, datë që përkon edhe me zgjedhjet në Federatë. Koincidencë? Me shumë gjasa jo; madje mund të konsiderohet vetëm akti i parë i një gare që do të dëshmojë sesi mazhoranca, nëpërmjet pushtetit qendror dhe vendor, do kërkojë të marrë edhe futbollin.

“Ku është mëkati, nëse unë kam qenë 20 vite deputet dhe s’jam pjesë e qeverisë?”- është pyetja që z. Fino ka ngritur për të shuar dyshimet tek ata që shohin tek ai pikërisht rrezikun e humbjes së pavarësisë së Federatës me kandidimin e tij.

Sigurisht që ka një mëkat, dhe kjo pyetje është thjeshtë retorike. Mëkati, ose dëmi i shkaktuar interesit të përgjithshëm, është mos heqja dorë nga mandati i deputetit. Sigurisht ligji nuk parashikon të kundërtën, por kjo tregon që në fillim se cila është qasja e deputetit të PS-së në këtë garë.

Qartësisht të qënurit makut ndaj pushtetit po shfaqet me mënyrën më klasike, me një dualizëm; ose, e thënë ndryshe, me dëshirën për të bërë dy gjëra që janë të papajtueshme me njëra-tjetrën. Nuk mund të jesh edhe deputet edhe kandidat për kreun e FSHF-së; nuk mund t’u shërbesh edhe qytetarëve të Qarkut të Fierit, të cilët të kanë zgjedhur për t’i shërbyer në Parlament, dhe njëkohësisht të bësh fushtatë për ambiciet e “tua”.

Autonomia e federatave të futbollit nga qeveritë apo politika nuk është vetëm një merak i opinionit publik, por është edhe një kriter i vendosur nga federatat ndërkombëtare UEFA dhe FIFA. Pra ky hap i Bashkim Finos dhe i Kryeministrit mund të sjellë probleme dhe penalitete për futbollin shqiptar. Herën e fundit që politika kërkoi të ndërhynte në mënyrë të drejtpërdrejtë në botën e futbollit, organet europiane dhe botërore që drejtojnë këtë sport, kërcënuan Shqipërinë me pezullim nga aktivitetet ndërkombëtare. Me shumë gjasa, brenda 7 shkurtit, këto institucione do të shprehen sërish.

Atëherë nuk mbetet gjë tjetër veçse të presim dhe të shpresojmë që të vijë ky reagim, pasi kur bëhet fjalë për zgjedhje, të të gjitha llojeve, mazhoraca ka treguar se e ka “dorën e gjatë”; dhe të gjithë e dimë, ndoshta edhe deputeti Fino, se futbolli luhet me këmbë.

Të fundit