Flash News

KRYESORE

Zgjedhje në qershor? Jo, grackë politike e Ramës!

Gentian Gaba

Ka zëra në Tiranë, thashetheme të pakonfirmuara, hamendësime dhe hipoteza mbi të ardhmen politike të vendit në muajit në vijim.

Zërat thonë se PS-ja po përgatit lëvizjet politike në rast të mosçeljes së negociatave me BE-në. Flitet se ka një strategji për të shkuar sërish në zgjedhje me Ramën në krye të qeverisë; flitet se Partia Socialiste po përgatit lëvizjet e saj politike për t’i bërë ballë një përgjigjeje negative nga vendet e Bashkimit Evropian lidhur me negociatat për anëtarësim.

Sigurisht, që zëra kaq ambiciozë ndaj rendit politik krijonë efekt të madh, por mbeten të pabesueshme, madje mund të konsiderohen një grackë politike e thurur për qëllime specifike.

Në një vend të vogël si Shqipëria, ku bërësit e politikës dhe të opinionit ndajnë shumë ambiente dhe momente, është e thjeshtë të sajosh ose krijosh zëra të tilla për përfitime elektorale.

Dy - tre kasnecë, të kamufluar si frekuentues të tavolinave të rëndësishme, me lidhje të besueshme me partitë politike, e kanë fare të thjeshtë të krijojnë një zhurmë në funksion të një zhurmuesi, por sidomos një xhongleri politik, si Rama.

Cili mund të jetë qëllimi i krijimit të këtyre zërave?

Pse duhet të krijohet përshtypja që një Kryeministër, i cili nuk u tërhoq kur Shqipëria ishte mbjellë fund e krye me hashash,  do të kërkojë një votëbesim nëse nuk çelen negociatat?

A mund të tërhiqet për një gjë të tillë një Kryeministër që mbrojti politikisht ish-ministrin e tij të Brendshëm të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge?

Nëse dëshironte të bënte një gjest politik, ai ishte momenti i duhur.

Jo, Rama nuk do të tërhiqet. Tabiatet e tij njerëzore dhe politike nuk e parashikojnë këtë. Pse duhet të kërkojë votbesimin një person që, teorikisht, ka marrë një shuplakë nga BE nëse nuk çelen negociatat? Për të përfunduar karrierën politike me një bilanc totalisht të zi? Për të përballuar zgjedhjet me një damkë ndërkombëtare?

Rama nuk do të tërhiqet, sepse negociatat do të hapen.

Është koha e Shqipërisë tanimë; hapja e negociatave nuk është fundi i procesit të integrimit, por është fillimi i fazës së fundit; dhe për këtë kanë ardhur mjaft sinjale nga Bashkimi Europian.

Është momenti i duhur për BE-në për të nisur fazën e saj të re post-Brexit, anti-Putin dhe limituese ndaj Erdogan; integrimi i Ballkanit Perëndimor.

Rama këtë e di mirë; ia kanë thënë, madje ka bërë gjërat e duhura (sidmos me Greqinë) për të arritur në këtë moment.  

Rama di gjithashtu se këtë vit nuk ka shumë për të festuar; nesër do të ketë Opozitën te dera, investimet e huaja janë në pikiatë, largimi i shqiptarëve nga vendi po merr sërish përmasa historike.

Në këtë kontekst, i duhet një fitore.

Rama shpreson ta kalërojë hapjen e negociatave në mënyrë makiavelike.

Duke ngritur kasnecët nëpër tavolina, portale dhe televizione, kërkon ta ngarkojë politikisht pritjen e hapjes së negociatave.

Synon që të krijohet ideja se ato edhe mund të mos hapen; se çelja e tyre nuk po vjen si pasojë e një procesi më të madh se ai dhe se mazhoranca e tij, por e punës së tij.

Madje, nënteksti i klimës që do të krijohet, do të sugjerojë se negociatat do të hapen edhe pse Opozita nuk bashkëpunoi me mazhorancën; dhe jo vetëm kaq, por rrezikoi t’i dëmtonte për shkak të frymës 'antikombëtare'. Pra, synon të “çarmatosë” zellin e Opozitës për protesta, duke e lidhur fatin e daljes në shesh me faturën e kripur që mund të vijë nga BE për shkak të protestave.

Për t’i dhënë pak emfazë shfaqjes, dhe për të fituar kapital politik, krijohen zëra që e përshkruajnë atë si “statist”, i gatshëm të lëshojë pushtetin personal (edhe pse mandatet i ka mëse të mjaftueshme për t’u zvarritur deri më 2021), nëse Brukseli do të thotë jo.

Fatmirësisht për ne, hapja e negociatave është çështje muajsh tanimë; ndërsa fati i mazhorancës, duke filluar nga dita e nesërme, nuk varet më nga vullneti i saj, por nga ai i qytetarëve. 

Të fundit