Flash News

KRYESORE

Zgjedhjet lokale, kandidatët që pritet të konfirmojë Rama dhe emrat e rinj që do garojnë

Zgjedhjet lokale, kandidatët që pritet të konfirmojë Rama

Në 7 shtator, ditën kur do të mbahet Asambleja, pritet që socialistët të nisin edhe përgatitjet për zgjedhjet lokale që do të mbahen vitin e ardhshëm. Faza e parë është ajo e ngritjes së një komisioni, i cili siç ka thënë Rama, do të vlerësojë punën e kryebashkiakëve, për të vendosur më pas nëse do të rikanidojë apo jo.

Por edhe pse procesi nuk ka nisur ende zyrtarisht, kanë nisur të lakohen emrat e parë sa i takon kandidatëve që do të rikonfirmohen apo emrat e rinj që do të hidhen për të garuar.

Erion Veliaj dhe Armando Subashi janë thuajse të konfirmuar në garën për një mandat të dytë në bashkitë Tiranë e Fier. Listës së të konfirmuarve i shtohen edhe dy kryebashkiak që njihen si miq të kryeministrit, Tërmet Peçi në Tepelenë dhe Jorgo Goro në Himarë.

Në Durrës, nuk dihet ende nëse Vangjush Dako do të garojë sërish, por një gjë është e sigurtë, që nëse Dako tërhiqet kandidati i socialistëve pritet të jetë një nga njerëzit e besuar të kryebashkiakut aktual. Emri më i lakuar, nëse Dako nuk kandidon është ai i Ardian Çelës, administratori i OSHEE-së që më herët ka qenë edhe nënkryetari i Bashkisë së Durrësit.

Në Shkodër, socialistët pritet të garojnë me Senida Mesin, aktualisht zëvendëskryeministre, ndërsa në Lezhë, deputeti Pjerin Ndreu thuajse është ‘vetëshpallur’ si kandidat.

Thuajse zyrtare është moskandidimi i Qazim Sejdinit në Elbasan e Fatos Tushes në Lushnje, ndërsa në pikëpyetje është edhe kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo.

Në Gjirokastër, emri më i përfolur për të qenë kandidat i socialistëve në garën për Bashkinë është ai i Flamur Golemit, aktualisht deputet i PS-së në këtë qark, ndërsa është i sigurt moskandidimi i Florjana Kokës në Sarandë.

Në Vlorë, Dritan Leli duket se i ka kaluar vështirësitë e fillimit dhe tashmë kërkon një rikonfirmim për të garuar sërish por nga ana tjetër kanë nisur të qarkullojnë edhe emra të tjerë, si kandidat ku më i mundshmi është sërish një doktor.

Në Dibër, pas ‘blerjes’ së PDIU-së socialistët do të propozojnë një emër tjetër kjo për shkak edhe se kryebashkiaku aktual, Muharrem Rama, është përplasur disa herë me përfaqësuesit çam të Dibrës. Ndërkohë në Kukës, emri i Safet Gjicit është më i përfoluri për të qenë kandidati i socialistëve në garën për Bashkinë./Politiko.al

 

Të fundit