Flash News

KRYESORE

Zgjedhjet lokale në SHBA, kush janë shqiptarët që triumfuan, mes tyre një prokurore nga Tropoja

Shtatë shqiptarë morën pjesë në zgjedhjet lokale të mbajtura ditën e djeshme në SHBA.

Deri tani, katër prej tyre kanë rezultuar fitues të posteve të ndryshme drejtuese, e po ashtu është zgjedhur edhe një prokurore me origjinë shqiptare.

Shqiptarja Bute Biberaj zgjidhet prokurore në qarkun Loudon, Virginia, SHBA. Ajo ka fituar garën ndaj rivalit të saj, Mike Chapman.

Biberaj me origjinë nga Tropoja, ka më shumë se 25 vite përvojë në fushën juridike. Ajo ka punuar si avokate dhe për 11 vjet radhazi ka shërbyer si gjyqtare zëvendësuese në gjykatën e qarkut.

Bute për disa muaj ka zhvilluar një fushatë mbresëlënëse për këtë post, duke siguruar edhe mbështetjen e gazetës së famshme ‘The Washington Post’ dhe përkrahjen e shumë personaliteteve të politikës dhe drejtësisë amerikane.

Fitues u shpall edhe Vedat Gashi nga Kosova. Ai fiton zgjedhjet lokale, duke u zgjedhur ligjvënës në qarkun Westchester në New York, duke mundur me lehtësi ish mbikëqyrësin e Yorktown, Michael Grace.

Jetlir Kulla fiton dhe rizgjidhet në mandatin e tretë në postin e Aldermanit ( Kryeplakut) për Distriktin 4, në qytetin Waterbury, në shtetin Conetikat.

“Faleminderit të gjithëve që më kanë votuar për mua! Është një nder të jesh i rizgjedhur si Kryeplak i distriktit të 4-të. Unë jam me të vërtetë mirënjohës për mbështetjen e të gjithëve, veçanërisht ndaj familjes, miqve dhe të gjithëve që ndihmuan në proces. Le të vazhdojmë të lëvizim Waterbury përpara! “, shkruan në një status në rrjetet sociale pas fitores, Kulla.

Donna Colorio do të jetë pjesë e Këshillit të Qytetit të Worcester-it.

Robert Gjonaj Donovic është shpallur fitues për Këshillin e Qytetit në Livonia.

Të fundit