Flash News

KRYESORE

Zgjedhjet lokale/ Rama: Zhvillohen në 30 qershor. Mogherini: Nuk hyjmë në negociata (PS-PD)

Zgjedhjet lokale/ Rama: Zhvillohen në 30 qershor. Mogherini: Nuk hyjmë

Pasi folën të bindur se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për të merituar hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Edi Rama dhe Federica Mogherini u pyetën nga gazetarët në Tiranë për krizën politike që ka mbërthyer vendin.

Rama theksoi se zgjedhjet lokale do të zhvillohen më 30 qershor, ashtu siç përcaktuar, dhe se, sipas tij, marrëveshje si ajo e 2017-ës nuk sjell asnjë rezultat.

“Zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor dhe të jeni të sigurtë që më 30 qershor do të zgjidhen të 61 kryetarët e bashkive. Ne kemi për detyrë të bëjmë çfarë na takon në këtë proces dhe institucioneve të tjera u takon të bëjnë gjithçka çfarë u takon në këtë proces. Qytetarët do të votojnë më 30 qershor për zgjedhjet vendore... Nuk shoh askënd që të shqetësohet si në 2017-ën. Natyrisht jo sepse çka ka ndodhur nuk është shqetësuese, por sepse i tejkalon kufijtë e të durueshmes nga pikëpamja kushtetuese. Për sa na takon, ka ardhur koha që ne t’i qëndrojmë sistemit, rrugës së përcaktuar nga Kushtetuta, sepse mesa duket se zgjidhjet për të kaluar një krizë të krijuar për t’u zgjidhur dhe për të fituar diçka nga zgjidhja, nuk na ka ndihmuar të rritemi. Zgjidhjet e asaj natyre i kemi provuar. 2017-ta ishte maksimumi që mund të bëjë një mazhorancë për opozitën, nuk funksionoi. Tani sistemi. Kush qëndron në sistem, qëndron. Kush nuk qëndron, ka zgjedhjen e vetë të lirë. Ama nuk ka shans që të pengojë të tjerët të qëndrojnë në sistem”, tha Rama.

Kryeministri deklaroi gjithashtu se edhe zgjidhja e krizës në 2017-ën, si dhe marrëveshja që e pasoi, u arrit nga aktorët lokalë dhe jo nga ndërhyrjet e huaja.

Edhe përfaqësuesja e BE-së për Politikën e Jashtme, Mogherini theksoi se zgjidhja duhet të gjendet nga aktorët politik në Shqipëri. Ajo mohoi se kishte hyrë në negociatat PD-PS në 2017-ën dhe se diçka të tillë nuk do e bëjë as tani.

“Unë asnjëherë nuk promovoj apo hyj në negociata midis partive politike në një vend të caktuar, qoftë brenda BE apo jashtë tij. Roli i BE është që të ketë marrëdhënie me institucionet. Nuk kam bërë negociata në 2017-ën. Kjo nuk është qasja jonë për marrëdhëniet me vendet tona partnere”, tha Federica Mogherini.

PD dhe LSI kanë djegur mandatet e deputetëve dhe nuk pranojnë të hyjnë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit për sa kohë kryeministër është Edi Rama. Partitë opozitare e akuzojnë Ramën se nuk mund të realizojë zgjedhje të lira e të ndershme dhe kjo është faktuar, sipas tyre, në përgjimet e prokurorisë në Durrës, Shijak, Lezhë dhe Dibër, ku grupe kriminale janë angazhuar në favor të Partisë Socialiste.

Të fundit