Flash News

KRYESORE

Zgjedhjet në Malin e Zi/ Festë me flamuj kuq e zi, koalicionet shqiptare fitojnë dy mandate

Mali i Zi po shkon drejt fundit të numërimit të votave për zgjedhjen e parlamentit të ri.

Nga të dhënat e e deritanishme,  Partia Demokratike e Socialistëve e drejtuar nga Milo Gjukanoviç kryeson përballë partive të tjera, me 35% të votave dhe 29 mandate, por rezultati po ngushtohet përballë dy partive opozitare në aleancën "Për të Ardhmen e Malit të Zi", të përbërë kryesisht nga parti nacionaliste serbe që dëshirojnë marrëdhënie më të afërta me Serbinë dhe Rusinë, me 33% të votave dhe 28 mandateve.

Anketat parashikojnë që Partia e presidentit malazez Milo Gjukanoviç, një aleat i fortë Perëndimor, në pushtet për rreth 30 vjet me radhë, do të përfundojë nëse nuk arrin të sigurojë i vetëm votat për të formuar një qeveri.

Gjukanoviç ka qeverisur Malin e Zi që nga fillimi i shpërbërjes së Jugosllavisë federale në vitin 1990, si dhe përgjatë shpërbërjes së unionit me Serbinë në vitin 2006.

Zgjedhjet vijnë pas një viti trazirash politike për shkak të ligjit për fenë i miratuar në fund të vitit 2019 dhe që lejon shtetin të sekuestrojë disa pasuri fetare nëse pronësia historike e tyre nuk mund të provohet.

Festë me flamuj kuq e zi

Nga ana tjetër, dy koalicionet shqiptare kanë mundur të fitojnë dy deputetë në Kuvendin e Malit të Zi.

Lista Shqiptare ka marrë deri tani 1.4% të votave, e përkthyer në një mandat, kurse Koalicioni Shqiptar ka siguruar 1.1% të votave, duke fituar po ashtu një mandat deputeti.

Të drejtën e votës e kanë patur 24 mijë shqiptarë dhe pjesa më e madhe e tyre jetojnë në Tuz. Vetëm në Tuz ka 7 qendra votimi.

Të fundit