Flash News

KRYESORE

Zgjedhjet në Tuz të Malit të Zi, Tirana dhe Prishtina kërkojnë mbështetje për “Forumin Shqiptar”

Zgjedhjet në Tuz të Malit të Zi, Tirana dhe Prishtina

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë thotë se “po ndjek me vëmendje të veçantë fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale për Komunën e Tuzit, që do të zhvillohen më 3 mars 2019. Këto janë zgjedhjet e para pas krijimit të Komunës së pavarur të Tuzit, çka përbën një zhvillim të rëndësishëm në përmbushjen e një kërkese legjitime të popullsisë shqiptare të kësaj zone. Shprehim bindjen se procesi zgjedhor do të jetë konform standardeve më të mira ndërkombëtare.”

Në një reagim zyrtar, Tirana kërkon nga të gjithë shqiptarët që jetojnë në Tuz që të mbështesin aleancën parazgjedhore “Forumi Shqiptar” nën moton “Malësia na Bashkon”.

“Bashkimi i partive kryesore shqiptare në aleancën parazgjedhore “Forumi Shqiptar” nën moton “Malësia na Bashkon” përbën një hap të mençur dhe patriotik drejt maksimalizimit të votave të shqiptarëve në komunën e Tuzit. Tashmë është momenti historik që shqiptarët e Tuzit e të Malësisë, me ndihmën e vyer të bashkatdhetarëve të Diasporës, të marrin mbi vete përgjegjësitë e drejtimit të Komunës. Prandaj ky koalicion, si shembull i bashkimit të faktorit politik shqiptar, meriton konsoderatë të veçantë dhe mbështetje të fuqishme”, thuhet në deklaratën e MEPJ-së.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme vë në dukje se shqiptarët e Malit të Zi kanë dhënë një kontribut të veçantë në proceset më të rëndësishme të vendit, që nga pavarësia dhe deri tek anëtarësimi i Malit të Zi në NATO. Shqiptarët edhe në të ardhmen do të mbeten një faktor i rëndësishëm në përparimin e Malit të Zi dhe një urë e fortë lidhëse mes dy vendeve mike”, mbyllet deklarata e Tiranës.

Mbështetje për ‘Forumin Shqiptar’ është dhënë ditën e djeshme nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti Hashim Thaçi, gjatë pjesëmarrjes në Samitin e Diasporës. Zv/kryeministri kosovar, Enver Hoxhaj dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i kanë bërë gjithashtu shqiptarëve të Tuzit që të mbështesin me votë këtë forum për të marrë drejtimin e komunës.

Të fundit