Flash News

KRYESORE

“Zgjedhjet vendore do mbahen më 30 qershor”, Rama: Fjalia që duhet të hapë çdo komunikim tonin

“Zgjedhjet vendore do mbahen më 30 qershor”, Rama: Fjalia

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim me kandidatët e Partisë Socialiste për bashkitë e vendit. “Zgjedhjet vendore do të mbahen më 30 qershor”, kjo është fjalia me të cilën Rama nisi fjalimin dhe fjalia për të cilën urdhëroi çdo zyrtar të PS-së se duhet të nisë dhe të mbyllë komunikimet me qytetarët deri në ditën e heshtjes zgjedhore.

“Zgjedhjet vendore do të mbahen më 30 qershor. Kjo është fjalia që nga sot dhe deri në heshtjen lokale që duhet të hapë dhe të mbyllë çdo komunikim tonin. Zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor. 30 qershori që vjen nuk është një datë e zakonshme si të tjerat, por është data e caktuar nga Kushtetuta për të dëgjuar popullin sovran për ofertat elektorale në 61 bashkitë e vendit. Oferta jonë është e plotë, 61 kandidatë dhe 61 lista këshillash bashkiake”, tha Rama.

Duke theksuar se nisja e fushatës elektorale do të bëhet më 31 maj në Tiranë, Rama akuzoi opozitën se ka ikur nga gara nga frika e ballafaqimit me humbjen.

“Kundërshtarët tanë kryesorë zgjodhën rrugën e një disfate me qeder për Shqipërinë. Për shkak të ikjes së tyre nga rruga Kushtetuese e zgjedhjeve dhe frikës së tyre nga ballafaqimi i humbjes së tyre përballë nesh, në disa bashki nuk do të ketë më shumë se 1 kandidatë, por gjithsesi do të ketë fushatë. Po ashtu, natyrshëm do të shpenzojmë të gjitha energjitë tona kudo do të kemi kandidatë të opozitës politike që është regjistruar në zgjedhje, por edhe ata që kandidojnë të pavarur”, tha Rama.

“Do të ngordhë përgjithnjë politika e pengmarrjes së procesit demokratik”, shtoi kryeministri.

Sipas Ramës, “30 qershori do të bëhet momenti i ngjitjes së politikës shqiptare në këto 30 vite në një stad të ri. Momenti i rënies përfundimtare të teorisë shqiptare se në fushën e politikës mund të fitosh edhe duke minuar fushën. 30 vjet janë mjaft për të thënë boll më 30 qershor.”

Të fundit