Flash News

KRYESORE

‘Zgjedhorja’/ 1 orë pas ndërprerjes, Këshilli Politik rikthehet në mbledhje me ambasadorët në rezidencën e SHBA

‘Zgjedhorja’/ 1 orë pas ndërprerjes, Këshilli Politik

Rikthehen sërish në takim palët e Këshillit Politik me ambasadorët e SHBA, BE dhe Britanisë së Madhe në rezidencën e ambasadës së SHBA, për negociatat mbi një marrëveshje për Reformën Zgjedhore.

Një orë më parë, palët Damian Gjiknuri i PS, Oerd Bylykbashi i PD dhe Petrit Vasili i LSI, si dhe Rudina Hajdari nga opozita parlamentare u shpërndanë për të vijuar me konsultime me liderët përkatës politikë në selitë e partive.

Ndërkohë, pas takimeve konsultative, kreu i PD, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi patën gjithashtu një takim mes tyre.

Në këtë takim, janë bashkuar ashtu si dje në një takim 9 orësh, ambasadorët e SHBA, Yuri Ki, i BE, Luigi Soreca dhe ai britanik, Duncan Norman.

Ndërkohë, Kim pritet që pasditen e sotme të japë një deklaratë për mediat.

Me gjithë angazhimin e ndërkombëtarëve, përkatësisht ambasadores së SHBA, Yuri Kim, ambasadori i BE, Luigi Soreca dhe ai i Britanisë së Madhe, Duncan Norman sërish nuk u gjet dakordësia mes palëve dhe mbledhja u shty për sot.

Mes intensitetit të ditës së djeshme, progresi mes palëve Damian Gjiknuri nga PS, Oerd Bylykbashi nga PD, Petrit Vasili nga LSI dhe Rudina Hajdari nga opozita parlamentare është rëndë dakord për identifikimin biometrik të votuesve, pra kërkesa e opozitës që parashikon marrjen e shenjave të gishtave për çdo votues, hedhja e shenjës në një server kombëtar etj.

Ashtu siç citoi mbrëmë pas mbledhjes së gjatë edhe ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, pavarësisht progresit të konstatuar, sërish ka ende punë për të bërë, për arritjen e një marrëveshjeje.

Pikat pa konsensus

Katër janë çështjet që palët nuk kanë gjetur ende dakordësi. Pika më e nxehtë është përbërja e administratës zgjedhore.

Mazhoranca e përfaqësuar nga Gjiknuri këmbëngul për depolitizim të plotë të administratës zgjedhore, përfshirë këtu komisionet zgjedhore me administratë të depolitizuar, kurse PD kërkon garanci në komisionet ku nuk ka 100% identifikim biometrik, të ketë përfaqësues si vëzhgues dhe shuarjen e mundësive për manipulim votash.

Gjithashtu, palët kanë ende punë për një dakordësi sa i takon riformatimit të KQZ, funksionimi i Gjykatës Kushtetuese si Kolegj Zgjedhor, si dhe qeveria kujdestare.

Të fundit