Flash News

KRYESORE

'Zgjedhorja'; Rama arrin konsensusin me opozitën parlamentare, firmoset draft-marrëveshja; apel Bashës: Mos bëj gabimet e të shkuarës

Arrihet në një marrëveshje për Reformën Zgjedhore mes maxhorancës dhe opozitës parlamentare. Marrëveshja mes palëve është arritur pas takimit në kryesinë e Kuvendit mes kryeministrit Rama dhe Taulant Ballës, me krerët e grupeve parlamentare të opozitës.

Në draft-marrëveshjen e plotë të siguruar nga Politiko.al, opozita parlamentare zotohet të mbështesë marrëveshjen e 5 qershorit dhe ta votojë atë në Kuvend në seancën e 23 korrikut.

“Mbështesim me votë në seancën plenare të Kuvendit të datës 23 Korrik 2020, Projekt-ligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 „Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të miratuar me votat e shumicës parlamentare në Komisionin e Ligjeve, në respektim të Marrëveshjes datë 05.06.2020 ndërmjet Partisë Socialiste, opozitës jashtëparlamentare të përbërë nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim si dhe deputetes Rudina Hajdari”, shkruhet në draft-marrëveshje.

Po ashtu, opozita parlamentare garanton shprehimisht se “do të nxisin e mbështesin dialogun midis tyre dhe opozitës jashtëparlamentare në një proces gjithëpërfshirës me synim arritjen e një dakordësie sa më të gjerë për reflektimin në Kodin Zgjedhor.”

Takimi mes kryeministrit dhe përfaqësuesve të grupeve parlamentare të opozitës i nisur rreth orës 19:00, ka përfunduar kështu me sukses, ndërsa palët kanë firmosur në praninë e medias draft-marrëveshjen ku bien dakord për votimin në Kuvend të marrëveshjes politike të 5 qershorit dhe hapjen e listave.

Draft-marrëveshja e lexuar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u firmos fillimisht nga ai dhe më pas u pasua nga firma e Myslim Murrizit, Edmond Stojkut dhe Nimet Musait.

Në fakt, firmosja e kësaj marrëveshje është diçka e papritur nëse marrim parasysh qëndrimet e djeshme të palëve pas daljes nga tryeza e Këshillit Politik, ku Rama si përfaqësues i mazhorancës theksoi se i qëndronte idesë së tij për ndryshimet kushtetuese, hapjen e listave dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore ndërkaq nga ana tjetër Murrizi theksoi se opozita parlamentare nuk do të firmoste pazaret mes palëve politike.

Kujtojmë se, pikërisht ditën e sotme Murrizi me përfaqësues të tjerë të opozitës parlamentare ishin në këtë tryezë dhe firmosën marrëveshjen e re me mazhorancën, e cila pritet që së bashku me “5 qershorin” të votohen në parlament. E më vonë, pas 30 korrikut, pritet që të tre palët- mazhorancë, opozitë parlamentare dhe ajo jashtë parlamentare- të mblidhen për të diskutuar dhe arritur në një akord pas ndryshimeve të reja që do të vijnë pas heqjes koalicioneve parazgjedhore.

Në një prononcim për mediat pas firmosjes së marrëveshjes, kreu i grupit demokrat Myslim Murrizi është shprehur se "ka firmosur për Listat e Hapura, jo marrëveshjen e 5 Qershorit, të cilën e konsideron jashtë-institucionale". I të njëjtit qëndrim ka qene edhe deputeti Ralf Gjoni, i cili theksoi se votimi është individual dhe jo në grup.

"Votimi është individual. Ka pasur një dakordësi me mazhorancën për hapjen e listave që kërkon ndryshime kushtetuese. Vota për marrëveshjen në parlament do të jetë unanaime, unë votoj hapjen e listave. Kam qenë kundër 5 qershorit. Nuk kam ndryshuar. Nuk votoj marrëveshjen e 5 qershorit por hapjen e listave", tha Gjoni.

Ndërkaq, Hajdari është shprehur e kënaqur me arritjen e marrëveshjes mes opozitës parlamentare dhe mazhorancës për listat e hapura, duke theksuar se ky ishte një premtim i saj të cilin arriti ta mbante deri fund.

"U përfaqësua denjësisht, mori formë dhe u nënshkrua nga 4 deputetët e grupeve parlamentare. Jam shumë e kënaqur. Një hap përpara për demokracinë shqiptare, po e hedhim këtë hap ndryshimi në këtë ditë. Një premtim që e mbajta deri në fund,  tani jam para jush për t'ju thënë që jam premtim-mbajtëse. Nëse jemi sot, jemi falë mbështetjes së qytetarëve, që e bënë këtë ditë të rëndësishme. Hodhëm një hap para një demokracie më të fuqishme. Sot duhet të jemi një hap para drejt një demokracie më funksionale dhe me përfaqësues që i delegon populli", tha Hajdari.

Ndërsa, “i kënaqur me konsensusin e gjerë të arrirë sot” është shprehur edhe kryeministri Rama. Në një prononcim për mediat, në përfundim të takimit me grupet parlamentare të opozitës, Rama po ashtu i ka bërë thirrje Bashës që nesër të mblidhet Këshilli Politik dhe të mos bëjë gabimet e të shkuarës, por të ulet në tryezë. Rama tha se PD e mori datën se kur do të votohet "5 qershori" dhe tani të vijë të diskutojë ndryshime kushtetuese që diktojnë listat e hapura.

"Përfitoj nga rasti duke u nisur edhe nga mbledhja e djeshme e këshillit politik ti bëjë një apel Lulzim Bashës, opozitës dhe aleatëve të tyre, të mos refuzojnë kërkesat dhe t’i bashkohen tryezës së diskutimeve që të vazhdojmë punën së bashku. Mund të mos biem dakord për gjithçka, por mund të bjem dakord për shumëçka", ka thënë Rama.

I pyetur se, a do t’i arrijë mazhoranca 84 votat e kërkuara në 23 korrik, Rama përgjigjet:

"Kemi bërë goxha debat për këtë pikë me zotin Murrizi, i cili qëndron stoik në pozicionin e tij sepse nuk e njeh marrëveshjen e 5 qershorit. Edhe pse do të ishte mirë që Murrizi të na bashkohej se bashku me grupin e tij, kam bindjen- kemi sinjale inkurajuese nga dy grupet e tjera- që do ta kalojmë ligjin pavarësisht faktit që në anën e opozitës parlamentare sic e dimë të gjithë nuk ka një formacion të unifikuar po grupe parlamentare dhe individ.

Ndryshimet kushtetuese do të miratohen në 30 korrik dhe unë e kam thënë edhe me parë në mënyrë të përsëritur se është parlamenti që ka të drejtën e votës".

Të fundit