Flash News

KRYESORE

Zguri largon përgjegjësinë e KQZ-së për mosreagimin ndaj dhunuesve të votës së lirë: “Prokuroria dhe task-forca të bëjnë detyrën...”

Zguri largon përgjegjësinë e KQZ-së për mosreagimin

Në një shkrim të djeshëm të “Politiko.al” kërkohej pse nuk ka një reagim të KQZ kundër dhunuesve të votës së lirë, pas publikimit të videos skandal në tjetërsimin e votave të PDIU-së. Sot kryetari i KQZ, Klement Zguri, apeloi sot organet ligjzbatuese dhe Task-Forcën për motinorimin e zgjedhjeve të bëjnë publikë raportet e tyre për 25 qershorin.  Zguri tha se qytetarët kanë nevojë ta shohin drejtësinë penale në fushën e zgjedhjeve në veprim dhe në lartësinë e ligjit.  Ai theksoi se veprimtaria efikase e tyre është vendimtare për parandalimin e ngjarjeve apo fenomeneve të shkeljes së ligjit në fushën e zgjedhjeve në të ardhmen, është faktor i pazëvendësueshëm për rritjen e cilësisë së zgjedhjeve në Shqipëri.

Ndër të tjera Zguri tha se: “Procesi ka regjistruar incidente dhe shkelje të natyrave të tjera të cilat kërkojnë reagimin e përgjegjshëm dhe të institucioneve të tjera. Task-forca e ngritur nga Këshilli i Ministrave për monitorimin e  zgjedhjeve 2017 apo Departamenti i Administratës Publike janë marrë gjerësisht me problematikën e zgjedhjeve, kanë bërë konstatime, kanë ndërhyrë dhe kanë nisur procedura hetimi administrative, është momenti që këto organizma të bëjnë publikë rezultatet e punës së tyre.

Në mënyrë të veçantë organet e ndjekjes penale kanë regjistruar çështje hetimore për të cilat shqiptarët presin hetim të shpejtë, të pandikuar politikisht, profesional dhe të drejtë. Shqiptarët presin të bëhet publik sa më shpejt rezultati i procedimeve penale për të gjithë veprat penale në fushën e zgjedhjeve që janë në hetim. Qytetarët kanë nevojë ta shohin drejtësinë penale në fushën e zgjedhjeve në veprim dhe në lartësinë e ligjit. Pa lajme serioze, të besueshme dhe të qëndrueshme nga organet e ndjekjes penale nuk mund të ngrihet besimi i publikut tek zgjedhjet. Për këtë arsye u bëj thirrje të gjitha institucioneve të përfshira të përmbyllin me përparësi procedurat e tyre të hetimit administrativ apo penal dhe të bëjnë sa më shpejt publike rezultatet e punës së tyre. Veprimtaria efikase e tyre është vendimtare për parandalimin e ngjarjeve apo fenomeneve të shkeljes së ligjit në fushën e zgjedhjve në të ardhmen, është faktor i pazëvendësueshëm për rritjen e cilësisë së zgjedhjeve në Shqipëri.”

Të fundit