Flash News

KRYESORE

Zhvati miliona euro duke premtuar leje ndërtimi, prokuroria jep pretencën për ish-administratorin e Call Center-it

Një vit më parë, policia ka arrestuar 41-vjeçarin Klodian Ciruna, që administronte një call center.

Ciruna akuzohet nga prokuroria e Tiranës, për akuzën e “Mashtrimit me shumë se një herë”.

41 vjeçari përdorte si marifet për të mashtruar lejet e ndërtimit  duke premtuar leje në këmbim të shumave të majme, disa qindra mijëra euro.

Duke shfrytëzuar një kompani “call center” që kishte hapur, u dërgonte mesazhe telefonike ndërtuesve apo biznesmenëve sikur ishin shkruar nga drejtues të lartë të bashkisë, personave që u kishte marrë eurot dhe u kishte premtuar lejet e ndërtimit. Në këto mesazhe të falsifikuara, viktimat e Cirunës siguroheshin se strukturat e bashkisë ishin duke përgatitur lejet e ndërtimit.

Më tej mashtrimi i tij shkoi kur mendoi të bëhej akoma më i besueshëm dhe i dërgoi një ndërtuesi një mesazh, sikur e kishte shkruar djali i kryeministrit dhe ku ndërtuesit i premtohej se do t’i jepej rikonstruskioni i piramidës dhe disa rrugëve në kryeqytet.

Në këtë moment është bërë dhe denoncimi ndaj tij, denoncim i cili u pasua edhe me të tjerë persona që ishin mashtruar në shuma të konsiderueshme.

Ciruna rrezikon një dënim prej 10 vitesh burg pasi me anë të këtyre marifeteve ka arritur të gënjejë 3 biznesmenë në Tiranë duke ju marrë qindra mijëra euro.

I arrestuari nuk jep asnjë shpjegim në prokurori.

 

 

Të fundit