Flash News

E-TJERA

Zonja ministre, ku shkuan 90 mijë euro që mblodhët për të verbërit?

Zonja ministre, ku shkuan 90 mijë euro që mblodhët për

Sinan Tafaj i Shoqatës së të Verbërve, letër e hapur Mirela Kumbaros

E nderuar Znj. Ministre,

Me gjithë falenderimet dhe respektin që komuniteti i të verbërve i përfaqësuar nga Shoqata Kombëtare ka treguar për juve, për shkak të heshtjes dhe indiferencës tuaj jemi të detyruar t’ju drejtohemi me këtë letër të hapur, publike.

Znj. Kumbaro, ardhjen tuaj në krye të sektorit të kulturës ne e pritëm me besim dhe entuiziazëm sidomos në muajt e parë kur ju morët kontakte me ne dhe morët pjesë në aktivitetet tona kulturore. Ne pranuam çdo ftesë tuajën për të qenë pjesë e aktiviteteve ku ju ishit prezente me shpresën se ju e kishit seriozisht angazhimin në zgjidhjen e problemeve tona. Ne nuk menduam që ju po na përdornit si fasadë, as në aktivitetet e bibliotekës kombëtare ku mori pjesë kryeministri, as në atë të muzeut arkeologjik në Durrës.

Zonja Ministre në fund të mandatit tuaj po rezulton se ju s’keni bërë asgjë për ne. Se cilat kanë qenë detyrimet tuaja për komunitetin e të verbërve ne jua kemi thënë zyrtrisht në tavolinën tuaj dhe jua kemi shkruar shumë herë.

Më lejoni e nderuara Znj. Ministre t’jua përseris. Bazuar në Konventën e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar, në ligjin për statusin e të verbërit, në ligjin për përfshirjen dhe aksesueshmërinë për personat me aftësi të kufizuar, në një seri aktesh ligjore dhe nënligjore dhe në fund bazuar në kushtetuten e Republikën e Shqipërisë, ju keni përgjegjësinë të garantoni akses të barabartë në kulturën e vendit për të gjithë shtetasit në Republikën e Shqipërisë. Afro tre vjet më parë me mbështetjen tuaj dhe 4 apo 5 ministrave të tjerë, në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile, ju ftuat biznesin dhe aktorë të politikës, artit dhe kulturës në një aktivitet apo darkë në hotel “Rogner” duke u bërë thirrje që të kontribuonin për të financuar integrimin e gjuhës shqipe në programin (sintezën vokale) që ndihmon të verbërit për të aksesuar me lehtësi kompjuterin. Nga ky aktivitet u përjashtua shoqata e të verbërve. Megjithëse po bëhen 3 vjet ende nuk ka asnjë shenjë që ky program po bëhet. Edhe pse mediatikisht u tha se u mblodhën 80-90.000 euro.

Znj. Ministre ju e dini se prej afro 16 vjetësh, Qëndra Kombëtare e Rehabilitimit të të Verbëve ka krijuar shtypshkronjën e shkrimit brail për të verbërit dhe studion e regjistrimit të librave në audio, me anë të cilave printohen në brail dhe regjistrohen në audio, literatura artistike, publike e shkencore si dhe tekstet mësimore për nxënës dhe studentë të të gjitha niveleve. Megjithëse kjo studio ka regjistruar mijëra romane, ministria juaj nuk ka treguar asnjë interes dhe nuk ka qenë e gatshme të financojë as dhe një qindarkë. Të gjitha kërkesat tona kanë rënë në vesh të shurdhër, madje ne nuk jemi trajtuar as në projektet tuaja kur kemi konkuruar. Megjithëse ky shërbim është përgjegjësi publike dhe e drejtëpërdrejtë e institucionit tuaj, shërbimi i ofruar nga Qëndra Kombëtare e Rehabilitimit të të Verbërve është i vetmi i këtij lloji në vendin tonë, i autorizuar me vendim qeverie.

Znj. Ministre është i paqartë kundërshtimi juaj për të iniciuar ratifikimin e traktatit të Marrakeshit. Traktati i Marrakeshit, si pjesë e traktatit të përbotshëm të pronësisë intelektuale i çliron të verbërit nga detyrimi për të paguar pronësinë intelektuale për literaturën e aksesueshme në teknika të posaçme për ta. Përgjigja zyrtare e institucionit tuaj se do ta zgjidhni me ligj të brendshëm, ka qenë jo profesionale dhe jo korrekte pasi autorët e kësaj literature nuk mund të jenë të gjithë nën juridiksionin e ligjit të vendit. Është e pashpjegueshme për ne se përse ju keni refuzuar dhe mohuar një të drejtë të tillë që e gëzojnë të gjithë bashkëvuajtësit tanë në Europë dhe në botë.

Znj. Ministre është i njohur botërisht qëndrimi politik jomiqësor ndaj Shoqatës së të Verbërve por refuzimi për ratifikimin e Traktatit të Marrakeshit tejkalon imagjinatën tonë, pasi në këtë rast nuk kërkon kosto nga ana e qeverisë, pra refuzimi i kërkesës tonë edhe pa kosto ka brenda vetëm mungesën e preferencës politike. Mesa duket ju këtë kërkesë e doni që t’ju bëhet nga benjaminët tuaj, që të kenë bekimin tuaj.

Znj. Ministre përse nuk pyesni një herë se si po shpenzohen paratë e AMSHC-së që janë dhënë për projekte për persona me aftësi të kufizuar. Çfarë u bë me paratë e grumbulluara për sintezën vokale (programin e të verbërve)3 vjet më parë?

Znj. Ministre, në ligjin për statusin e të verbërit e keni të shkruar fare qartë që hyrja e të verbërve në institucionet e kulturës si : muze, teatro e të tjera është falas. Kemi patur mundësinë ti shijojmë këto të drejta në vendet Europiane në lindje e perëndim edhe pse s’kemi qenë shtetas të tyre.  A nuk mendoni se është cinike që kjo e drejtë t’i mohohet shtetasve të verbër shqiptar në vendin e vet? Cila është arsyeja që ju refuzoni nxjerrjen e akteve nënligjore për të respektuar këtë të drejtë që ligji i jep të verbërve? Mos vallë dhe kjo kërkesë duhet t’ju vijë nga benjaminët politikë që përfaqësojnë dhe mbrojnë vetëm interesat e tyre individuale? Ata mund të mos kenë kurrë interesa për këto kërkesa që ne bëjmë, por përgjegjshmëria juaj intelektuale, individuale pse jo dhe politike nuk duhet të bjerë në nivelin e mosshqyrtimit dhe indiferencës ndaj këtyre kërkesave. Unë nuk dua që në këtë rast t’ju informoj mbi rregullat e shoqërisë civile, shoqatave me anëtarësi dhe nivelin e organizimin të Shoqatës së të Verbërve. Kërkesat tona duhet të merreshin seriozisht nga ana juaj edhe sikur të ishin të një qytetari të vetëm të thjeshtë.

E nderuar Znj.Ministre këtë letër po jua dërgojmë me postë dhe pasi ju ta merrni do të bëhet dhe publikimi i saj. Na vjen keq por ju duhet të kuptoni se ju nuk na latë asnjë mundësi tjetër.

 

 

Të fundit