Flash News

KRYESORE

Zoti mund të ketë vdekur, por mos vër bast për Amerikën

Alfred Lela

Klauzola 7031(c), e cila iu vu pas, si erinitë, ish-Kryeprokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, nuk është thjesht një lajm i kronikës së ditës. As një informacion, i cili ngroh vezët e qejfit në pëllëmbët e atyre që fërkojnë duart në gëzim kur dikush bie në theqafje. As një 'hakmarrje', që Don Lu e paska gatuar, në zemërim e sipër, për ta 'futur në dhe' Llallën, pas 'asaj ndërhyrjes në zyrën e tij për atë robin e Bankers'.

Nuk është asnjë nga këto, siç nuk ishte, apo nuk u bë dot, as brazda e një debati të thellë të ligjërimit publik, që shkon përtej asaj që ndodh sot, dhe zëvendësohet nesër nga një lajm tjetër.

Shpallja e Adriatik Llallës 'non grata' nga Departamenti i Shtetit është një klithmë kulturore, një thikë, tehu antropologjik i së cilës është mprehur në një etikë protestante anglo-saksone. Sipas së cilës, shkëlqimi, ngritja, karriera, vendi në shoqëri dhe në botë, sigurohen nëpërmjet punës dhe arsimimit, nëpërmjet përunjësisë më shumë se ngrefomanisë, nëpërmjet frikës prej Zotit, më shumë se të jetuarit sikur të mos kishte as Zot as shkop dhe, as llogari për të dhënë diku; kudoqoftë.

Zoti ka vdekur! nëse duam të citojmë Niçen, por, të jini të sigurt: Amerika, jo! 

I vdekur është, me sa duket, nervi i debatit publik në Shqipëri. Lajmi për Adriatik Llallën duhej 'prerë' shumë herë dhe i duheshin lexuar të gjithë 'rrathët'. Në të gjitha kuptimet, shpallja e tij si 'i penguar' nga shteti amerikan ishte një gjë e jashtëzakonshme. Ndodhte për herë të parë;  kundra një zyrtari të lartë të një vendi mik; vinte nga një vend mik; bëhej në kulmin e e debatit për Reformën në Drejtësi; 'dënimi' takohej fort edhe me perceptimin popullor në Shqipëri se sistemi i drejtësisë është i korruptuar; etj.  

Çka është gjithaq e rëndësishme ka të bëjë me faktin se z. Tillerson u përket qarqeve konservatore amerikane, dhe kjo ua heq, një lloji të mëvetshëm deligjitimuesish, konsideratën 'sorosiane'.  Kjo nuk e lejon thelbin që të kamuflohet me gëmushën e një 'axhende' në Departamentin e Shtetit. Nuk e ndalon, megjithatë, prerjen tonë kulturore konspirative dhe ballkanike për ta pagëzuar vendimin e Rex Tillerson 'një persekutim të Llallës nga Ambasada amerikane', apo integrimin në argumentin mbrojtës të kujtimit se 'Llalla ka qenë i përndjekur edhe nga regjimi i Hoxhës(!!!).

Çfarë domethënë kjo: që, nëse një sistem politik kryen kundravajtje ndaj një individi, ky i fundit gëzon të drejtën që të kryejë kundravajtje në një sistem pasrendës? A jemi këtu në një logjikë religjioze, sipas së cilës, nëse jeton një jetë me mundime, në tej-jetë do mund të shpërblehesh me parajsë?  

Pse u hesht gjerësisht në Tiranë para mundësisë së këtij debati kulturor? Vetëm pse Llalla është 'njëri prej nesh' dhe njëkohësisht 'njeni prej atyne'? 

Vetëm pse 'këta amerikanët, mor burrë, ku nuk i fusin hundët!'.

Ka, gjithmonë, 'një celulë anti-amerikane' në Shqipëri (shprehje e ish-Ambasadorit amerikan Arvizu), por kësaj here bëhet fjalë për më shumë.

Eshtë gjendje kulturore kjo.

Prej saj nuk na shpëton klauzola 7031(c), dhe as vetë Kushtetuta bashkë me etërit themelues të Amerikës.

Të fundit