Flash News

KRYESORE

“Zotimi im”, Basha nga Italia: Përvoja e qendrës italiane për mbrojtjen civile edhe në Shqipëri

“Zotimi im”, Basha nga Italia: Përvoja e qendrës italiane

Kreu i PD, Lulzim Basha është takuar me autoritetet italiane të Qendrës Operacionale të Emergjencave Civile në rajonin Friuli-Venezia-Giulia.

Pas kësaj vizite, Basha tha se ka rënë dakord që kjo përvojë do të shërbejë për t’u transferuar dhe për të trajnuar emergjencat civile shqiptare, për përballimin e fatkeqësive natyrore.

“Është zotimi im që qeveria e ardhshme që të mos gjendet e papërgatitur para fatkeqësive natyrore qofshin këto tërmete apo tragjedi të tjera apo përmbytje, që edhe ne të kemi një instrument të përgjigjes së menjëhershme për t’iu ardhur menjëherë në ndihmë banorëve, për të organizuar pa asnjë vonesë operacionet e vërteta të kërkim shpëtimit me mjete dhe me personel të kualifikuar për të shpëtuar jetë dhe për të kufizuar sa është e mundur dëmin në jetët njerëzore dhe në plagosjen e qytetarëve, për të vlerësuar dëmet e çdo fatkeqësie natyrore pa humbur kohë, pa propagandë, pa shfaqje por me kapacitete njerëzore, me manuale, me njerëz të përgatitur, të trajnuar me mjete të mjaftueshme dhe pastaj për të vepruar menjëherë për të riparuar këto dëme si dhe për të strehuar gjatë kohës së riparimit të gjithë personat e prekur nga fatkeqësia natyrore.

Prezantimi që është bërë dhe do të vazhdojë pas pak minutash edhe në qendrën e përbashkët operative të të gjithë institucioneve që marrin pjesë si dhe në vizitën që më është rezervuar në bazën e mjeteve të emergjencave civile, është me të vërtetë mbresëlënës, por akoma më i kënaqur jam nga fakti se, edhe nga pozita e Kryetarit të opozitës, Kryetarit të Partisë Demokratike, sot kam gjetur tek Ministri italian, jo vetëm një gatishmëri totale për të ndarë me mua dhe ekipin tim përvojat e tyre, por edhe një gatishmëri totale për të na qëndruar pranë në ndërtimin e një instrumenti të emergjencave civile që do t’u vijnë në ndihmë shqiptarëve, banorëve të Shqipërisë sa herë që të jetë e nevojshme dhe për këtë dua të theksoj sot se do të veprojmë shpejt, pa asnjë vonesë, në mënyrë konkrete që Shqipëria të ketë jo në letër, por një përgjigje të menjëhershme ndaj fatkeqësive natyrore, të ketë një qendër të emergjencave civile e cila të jetë e mirë trajnuar, e mirë pajisur dhe e gatshme për të vepruar menjëherë.

Edhe BE ka shprehur interesin për të investuar diçka të tillë dhe nuk ka fat më të mirë se sa ta marrim këtë përvojë nga qendra më e mirë që është ajo e Italisë dhe brenda Italisë ajo e Friuli-Venezia Giulia”, u shpreh Basha.

 

Të fundit