Flash News

KRYESORE

Zv/ ministri i Brendshëm jep detaje për Vettingun në polici: Procesi kalon në tre faza, do përfshihen dhe ish-punonjësit

Zv/ ministri i Brendshëm jep detaje për Vettingun në polici:

Vettingu edhe në radhët e policisë është duke shkaktuar polemika të mëdha, por zv/ministri i Brendshëm, Juljan Hodaj ka thënë për gazetaren Doriana Bezat se vetëm kështu do të mund të evidentohen punonjësit e ndershëm dhe me integritet. Vlerësimi do të jetë periodik për punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit të Çështjeve të Brendshme, si dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme.

Gjithë procesi do të kalojë në 3 faza ku punonjësit nga grada më e lartë deri ata me nivel zbatues do të kalojnë në 3 komisione.

Procesin e Vettingut mund ta kalojnë edhe ish-punonjësit e policisë, mjafton që ata të mos kenë qenë të përjashtuar. Ndërsa për të rinjtë që do të futen rishtas në polici do të duhet që në krye të herës të dorëzojnë dokumentet për pastërtinë e figurës dhe deklaratën e pasurisë. Po ashtu do të jenë pjesë e një vlerësimi periodik një herë në 3 vjet.

Projektligji i jep mundësinë policëve që të mos i nënshtrohen procesit të Vettingut. Brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji ata mund të japin dorëheqjen me shkrim duke mos iu nënshtruar Vettingut. Ndërsa ata që i nënshtrohen Vettingut dhe nuk e kalojnë, do të përjashtohen nga policia dhe do të ndiqen penalisht.

Ndërsa ata që rezultojnë me mangësi profesionale do të trajnohen.

Të gjithë ata që nuk do të mund të kalojnë Vettingun kanë të drejtë t’i drejtohen Gjykatës nëse nuk janë dakord me këtë vendim.

Një proces shumë delikat do jetë verifikimi i pasurisë së punonjësve të policisë. Me ligjin e vjetër për pasurinë jepnin deklaratë vetëm 80 punonjës, ndërsa me ligjin e ri do të japin deklaratë të gjithë.

Për pastërtinë e figurës së punonjësve në të mirë të procesit, përveç informacioneve të ardhura nga agjencitë ligjzbatuese, do të shërbejë edhe informacioni i publikut, të cilët do të plotësojnë një formular të posaçëm.

Vettingu në polici erdhi si nevojë pas një analize të detajuar që u bë në bashkëpunim me misionet e asistencës policore si, ICITP e PAMECA, të cilat ishin pjese e grupit të punës që hartoi projektligjin e vettingut si alternativën më të mirë për të pastruar Policinë e Shtetit.

 

 

 

 

Të fundit