Flash News

KRYESORE

Zyrtari i DASh jep dorëheqjen me një editorial: Nuk kam punuar kundër Trump, por as nuk mund të punoj më për të

Zyrtari i DASh jep dorëheqjen me një editorial: Nuk kam punuar

Chuck Park / Washington Post/ Përktheu: Politiko.al

Isha 26 vjeçar, i sapomartuar dhe pak më shumë idealist se e zakonshmja, kur u nisa drejt detyrës sime të parë diplomatike, gati një dekadë të shkuar, si anëtar i klasës së 157-të të oficerëve të Shërbimit të Jashtëm të SHBA.

Sipas ndonjë teoricieni të konspiracioneve me prirje të djathta, kjo do të më bënte mua pjesë të "The Deep State" - një qeveri hije brenda qeverisë, që vendos interesat e veta mbi dëshirat e shprehura të elektoratit. Ithtarët e kësaj teorie besojnë se, mijëra nëpunës federalë si unë po komplotojnë me tërbim për të penguar në çdo hap administratën Trump. Shumë nga e majta, gjithashtu, shpresojnë se një rezistencë e tillë, fshehurazi, po punon për të shpëtuar kombin nga impulset më të këqija të Presidentit Trump.

Të gjithë janë të gabuar. Burokracia juaj federale nën këtë president? Më mirë quajeni "Shteti i Vetëkënaqur".

Si shumë në legjionin tim, unë u futa në qeveri i frymëzuar nga një president i cili më bindi se kishte akoma disa të vërteta në ungjillin e veçantësisë (ekskluzivitetit) amerikane. Një fëmijë emigrantësh nga Koreja e Jugut, unë gjithashtu ndjeva një detyrim për shoqërinë që mirëpriti prindërit e mi dhe më lejoi mua dhe motrat e mia të ecnin përpara.

Mbi tre turne jashtë vendit, kam punuar për të përhapur ato që besoja se ishin vlera amerikane: lirinë, drejtësinë dhe tolerancën. Por gjithnjë e më shumë e gjeja veten në pozita mbrojtëse, teksa mundohesha t'u shpjegoja të huajve kontradiksionet e forta në atdhe.

Në Ciudad Juarez, Meksikë, unë fola për hapjen dhe miqësinë e Amerikës në veprimtaritë e konsullatës, teksa vendi im kryente dëbime masive dhe la në baltë mijëra "ëndërrimtarë" (baby dreamers). Kam marrë pjesë në festimet e Black History Month në Ambasadën tonë në Lisbonë teksa komunitetet e afrikano-amerikanëve në Shtetet e Bashkuara kërkonin drejtësi për Trayvon Martin, Michael Brown, Freddie Grei dhe viktimat e batërdisë me armë në Kishën Episkopale në Charleston. Dhe në Vancouver, pohova forcën e demokracisë së Shteteve të Bashkuara në

festën e natës së zgjedhjeve të konsullatës në vitin 2016, teksa një njeri që bëri fushatë mbi racizmin, misogjininë dhe teori të pabesueshme konspirative, u zgjodh president.

Që atëherë, e kam parë Trump të mbrojë ekuivalencën morale të nacionalistëve të dhunshëm të bardhë, të denigrojnë emigrantët nga "shithole countries" dhe të ndajë fëmijët nga prindërit e tyre në kufi, për t'i vendosur ata në qendra të tmerrshme paraburgimi.

Por gati tre vjet nga zgjedhja e tij, ajo që nuk kam parë është rezistencë e organizuar nga brenda. Përkundrazi, dy oficerë të lartë të Shërbimit të Jashtëm më paralajmëruan se rrezikoja karrierën time kur firmosa një 'internal dissent cable' (një kabllogram të brendshëm mospajtimi) kundër një urdhër-ndalimi të udhëtimeve të shtetasve nga disa vende me shumicë-muslimane në Janar 2017. Ndër kolegët e mi të Departamentit të Shtetit, nuk kam takuar as heroin mistik dhe as renegatin dinak të folklorit me 'Deep State'. Nëse rezistenca ekziston, duhet të jetë e qartë  se ka dështuar.

Kështuqë unë jam pjesë e 'Shtetit të Vetëkënaqur'.

Shteti i vetëkënaqur psherëtin kur presidenti bllokon udhëtimet e emigrantëve muslimanë; tund kokën kur ai mbron Princin e Kurorës Saudite Mohammed bin Salman; i heq sytë nga imazhet e fëmijëve në kampet e paraburgimit. Më pas zbaton urdhërat.

Çdo ditë, ne refuzojmë viza bazuar në përparësitë e administratës. Ne recitojmë pikat e manifesteve të administratës mbi sigurinë kufitare, emigracionin dhe tregtinë. Ne planifikojmë itinerare udhëtimesh, promovime librash dhe, literalisht, mbajmë derën për të emëruarit që propagandojnë axhendën toksike të Trump në të gjithë botën.

Kështuqë, kur lexova së fundmi një Op Ed në New York Times që bënte thirrje për turpërimin publik të "funksionarëve të mesëm të cilët e mbajnë sistemin në këmbë”, nuk më zinte vendi. Ne, nëpunësit e burokracisë, ashtu si juristi i Departamentit të Drejtësisë i cili kohët e fundit kaloi një 'torturë publike' për mbrojtjen e trajtimit të tmerrshëm që administrata u bën fëmijëve të ndaluar, nuk na pëlqen apeli ndaj nesh. Dhe kur kjo ndodh, ne fshihemi pas një argumenti standard - se jemi zyrtarë karriere që shërbejnë në institucione jopartizane.

Ne duhet të apelohemi dhe të turpërohemi. Por si duhet të përgjigjemi? Në një gjë jam dakord me konspiracionistët: 'Deep state', nëse do të ekzistonte, do të ishte gjë e gabuar. Kërkoni të lexoni manifestin e çdo oficeri të Shërbimit të Jashtëm dhe do të shihni që ne jemi punësuar për të shërbyer "sa të ketë dëshirë Presidenti i Shteteve të Bashkuara". Kjo do të thotë që duhet t'i shërbejmë këtij presidenti shumë partizan.

Ose përndryshe duhet të largohemi.

Jam i turpëruar për sa kohë mu desh për të marrë këtë vendim. Justifikimi im mund të jetë zhgënjyes, edhe pse familjar për shumë nga kolegët e mi: kam lejuar benefitet e karrierës të më heshtin ndërgjegjen. Kam lejuar strehimin falas, numërimin mbrapsht deri te pensioni dhe prestigjin e përfaqësimit të një kombi të fuqishëm në botë, të më largojnë nga idealet që dikur dukeshin aq të qarta për mua. Nuk mundem ta bëj më.

Im bir, i lindur në El Paso, në anën amerikane të po atij Rio Grande-je, ku u gjetën trupat e Oscar Alberto Martínez Ramírez dhe të së bijës, në të njëjtin qytet ku 22 njerëz, thjesht u vranë nga një burrë i armatosur, "manifesti" i të cilit, jehonte gjuhën toksike të presidentit tonë, sapo bëri 7 vjeç këtë muaj. Unë nuk mund t'ia arsyetoj më as atij, as vetvetes, bashkëpunimin tim në veprimet e kësaj administrate. Kjo është pse zgjedh te jap doreheqjen.

Të fundit