Flash News

KRYESORE

Zyrtari i SHBA që ‘do marrë në dorë’ Shqipërinë; ç’deklaronte në 2013-ën për zgjedhjet dhe pavarësinë e institucioneve

Zyrtari i SHBA që ‘do marrë në dorë’

Philip T. Reeker pritet të emërohet në gjysmën e dytë të muajit mars në krye të zyrës për Evropën dhe EurAzinë në Departamentin Amerikan të Shtetit, ku një fokus kryesor zë edhe rajoni i Ballkanit. Mediat kosovare dhe ato rajonale raportojnë se Reeker do të synojë të çojë përpara disa procese të rëndësishme siç është arritja e marrëveshjes përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë, përfundimi i procesit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe avancimi i rrugës evropiane të Shqipërisë.

Është kjo pikë e fundit ku Philip Reeker do të përballet me hapa mbrapa që nga koha (2011-2013) kur kishte detyrën e ndihmës-asistentit në këtë zyrë të rëndësishme të DASH.

Në janar të vitit 2013-të, kur Shqipëria kishte hyrë në vitin e zgjedhjeve parlamentare, Reeker kërkoi që ato të organizoheshin në mënyrë sa më të lirë dhe më të ndershme.

“Ato duhen parë si zgjedhje të lira e të ndershme jo vetëm nga komuniteti ndërkombëtar, por nga vetë populli shqiptar, nga qytetarët shqiptarë, për të cilët organizohen këto zgjedhje. Ata kanë nevojë që të kenë besim te liderët e tyre e ky do të jetë një sinjal i rëndësishëm për të garantuar se zgjedhjet janë organizuar mirë, janë të lira e të ndershme dhe me standardet që pret çdokush në këtë moment të historisë së Shqipërisë”, deklaronte zyrtari amerikan gjashtë vite më parë.

Ndërkohë që në gusht të 2013-ës, pasi zgjedhjet e organizuara nga Qeveria e Sali Berishës sollën në pushtet koalicionin PS-LSI, të drejtuar nga Edi Rama dhe Ilir Meta, Philip Reeker do të shprehej: “Dua të theksoj se zgjedhjet e qershorit përbëjnë një nga arritjet më të rëndësishme në evolucionin demokratik të Shqipërisë si dhe një provë të rëndësishme, ndërsa Shqipëria i afrohet statusit të kandidatit në BE.”

Tashmë që do të marrë detyrën e Asistent-Sekretarit në DASH, Reeker gjen një Shqipëri në kaos politik, ku opozita ka braktisur Parlamentin për shkak se ka dyshime të forta dhe të arsyeshme për manipulimin e zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës, të organizuara nga Qeveria e Edi Ramës.

Bazuar edhe në dosjet e Prokurorisë, opozita akuzon socialistët se kanë manipuluar zgjedhjet nëpërmjet bashkëpunimit me bandat e krimit të organizuar. Edhe raporti i OSBE konfirmoi se 20% e votave në Shqipëri janë blerë. Ndërkohë vendit i është refuzuar tre herë hapja e negociatave me Bashkimin Evropian.

Një tjetër çështje për të cilën fliste Philip Reeker vite më parë ishte edhe domosdoshmëria e pavarësisë së institucioneve.

“Shqipëria është demokraci, ka kushtetutën dhe institucione, që në disa raste, janë nën mbikqyrjen e presidentit. Këto janë institucione të rëndësishme, si shërbimet e zbulimit, prokuroria e përgjithshme, apo roli i rëndësishëm për vendosjen e shtetit ligjor. Kjo është jetike, jo vetëm për afrimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, por edhe për statusin e saj në komunitetin ndërkombëtar, kjo është ajo që shpresojnë investitorët e huaj dhe të tjerët nga Shqipëria. Dhe në këta sektorë ne kemi ofruar ndihmën tonë, kemi ofruar mendimin tonë të sinqertë”, shprehej Reeker në intervistën për ‘Zërin e Amerikës’ në vitin 2012-të.

Shtatë vite pas kësaj interviste, Shqipëria ka nisur reformimin e drejtësisë ndërkohë që Prokuroria e Përgjithshme drejtohet që prej vitit 2017-të nga një ‘prokurore e përkohshme’, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda asnjë dosje e rëndësishme nuk ecën përpara dhe vendi ka mbetur pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë.

Të fundit