Flash News

KRYESORE

Arti në karantinën e Helidon Halitit: Kjo kohë përmbushi dëshirën e shumëpritur, si e shoh Tiranën pa njerëz dhe makina

Karantina ishte periudha e shumëpritur për piktorin e njohur Helidon Haliti, fazë të cilën e cilëson edhe si një “dhuratë” për veten, por edhe për artin e tij.

Në një intervistë për Politiko.al, Haliti na rrëfen periudhën në karantinë, privimet me të cilat është ndeshur për shkak të kufizimeve ‘Covid’, apo se si ka ndikuar ky ‘vetësakrifikim’ siç e quan vetë piktori, në krijimtaritë e tij, që këto kohë i ka orientuar drejt autoportreteve.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Si ka qenë kjo periudhë karantine për ju?

Karantina ka ardhur si “dhuratë” që ia kisha borxh vetes, pasi kam qenë shumë aktiv më parë, nuk kisha kohë të perceptoja dhe të qetësohesha, dhe mu duk si kur vitet e fundit i jam përkushtuar artit, familjarit, por jo vetes. Kam neglizhuar veten, ndaj me këtë fazë, mu plotësua ajo që kisha muaj që e kërkoja, sepse kur periudhat e mia kanë qenë vetë-izolime.

Çfarë të mirash i keni marrë kësaj faze të shumëkërkuar prej jush?  

Kisha një projekt dhe për shkak të karantinës, iu dha mundësia që të vazhdojë për faktin se kisha dy vjet që kishte nevojë për izolim.

Kjo kohë ka bërë edhe dëmet e saj. P.sh kishim projektin “Muralet e Tiranës” i parashikuar të niste në 3 maj me 20 artistë nga e gjithë bota por u shty.

Megjithatë 90 % ishte i realizuar, kam 4 muaj që punoj për këtë, ishin caktuar muret, kurimi kishte përfunduar dhe mbeti vetëm ekzekutimi në 3 maj deri në 3 qershor,  por u shty në një kohë të papërcaktuar.

Është edhe festivali i “Akuarelit”. Aty bëra një adaptim të gjendjes se kishte rënë një pesimizëm i madh dhe ishte moment shumë evaziv se si do ambientohemi brenda. Secili kishte shumë konfuz, por unë ekspozitën e ktheva online.

Në galerinë tonë tani kam bërë ekspozitën e parë virtuale nga 19 artistë që kisha zgjedhur si një kundërpërgjigje e covid-19.

Nëse bëjme një ekspozitë me 400 artistë, 90 % e tyre nuk janë fizikisht prezent para majit. Këtë ekspozitë e ndoqën të plotë që nga sekondi i parë deri në shpjegimin e fundit, historikun e artistit, teknikat e veçanta, ishte shumë i suksesshëm.

Pra, mua më gjen më të përgatitur, sepse edhe artistët i njoh shumë mirë, ku shumica kishin vepra të realizuara këtu në Shqipëri dhe ishte shumë efikase.

Ekspozita zgjati dy javë me kërkesa të personalizuara, sepse shpjegohej online.

Projekti tjetër ishte në Univeristetin e Arteve ku kam 5 klasa dhe po e përballoj me qetësi se jam i familjarizuar. Kjo pasi edhe më parë kam dhënë mësim online, ku demonstroj live hap pas hapi, duke i dhënë kështu më shumë kohë edhe studentëve të punojnë, sepse edhe ata kur vijnë në shkollë ndodh që janë pak më të hallakatur.

Cfarë ju ka privuar kjo periudhë?

Më ka privuar prekjen personale, në kuptimin që artistët funksionojnë në disa mënyra për të parë natyrën. Na është privuar prekja e vështirësive të motit, pra kontakti me natyrën që përzgjedh vetë kudo, në mal, në liqen, por është kompesuar me dialogun urban, shëtitjen e pasditeve pa njerëz, për të medituar qytetin, për të parë më mirë arkitekturën.

Ishte i vetmi rast kur prej dy muajsh shoh arkitekturën e Tiranës që çedon shumë. Mungesa e njerëzve evidenton arkitekturën tonë, ka shumë zhvillim, por nuk është ajo që kërkon arti pikturik. Pra, edhe pse pa njerëz dhe makina, ndjej më shumë zhurma urbane.

A kanë patur ngjyra brenda katër mureve të shtëpisë suaj? Cili ka qenë frymëzimi i këtyre ditëve?

E kam ndarë ditën gjysmën në studio dhe gjysmën në shtëpi. Në studio ka qenë një monolog interesant mes katër mureve që më ka bërë shumë mirë, por kthimi në shtëpi ishte pak nervoz sepse artisti punon kur mediton, kur kthehet në studio ekzekuton akumulimet e tij. Kur kthehem në shtëpi futem në rolin e kryefamiljarit dhe jam i detyruar të ndërpres meditimet dhe kjo më nervozon, për pasigurinë se isha i vetmi njeri që dilja jashtë dhe mund të kisha kontakt me virusin.

A keni patur frikën e infektimit?

Dy javët e para ka qenë frika e të panjohurës më shumë. Edhe tani nuk e njohim shumë virusin, pavarësht informacionit të shumtë në media, sërish nuk është përcaktuar trajta e qartë, por mendoj se ka qenë një eksperiment për artin. Kishte një bllokim të artit në botë.

Mendoj se shkrimtarët sidomos, duhet të jenë vënë shumë në lëvizje nëse kanë akumuluar drama, apo shpresë, sepse arti është një inventarizim i ngjarjeve me perceptimin personal. Artisti pa ngjarje nuk bën art. Ndaj për disa ka qenë e vështirë.

Ju vetë, keni reflektuar në këtë drejtim?

Në këtë drejtim, ngjarjet i kisha akumuluar dhe kjo më ndihmoi në një perceptim më të konkretizuar.  Projekti që kisha të nevojshëm prej dy vitesh, pothuajse është mbyllur, por nuk mund të ekspozohet tani në gërmadhën e luftës së paqenë. Do marrë më shumë kuptim në luksin e qetësisë së të nesërmes. Do duket si delir apo pragmtizëm mbi armikun, rrezikun që mund të na kanoset çdo ditë në shumë drejtime.

Rreziqet ekzistojnë në çdo kohë, por në këtë rast, rreziku u zgjerua se u prekën të gjithë. Kemi dy muaj pa parë prindërit dhe nëse do ndodhte një fatkeqësi, ishe i detyryar ta kaloje në kundërshtim me traditat që njerëzimi i ka vendosur ndër shekuj. Kështu, mendoj se kjo kohë shihet edhe si eksperiment për të krijuar perceptimin se ç’do na sjellë distancimi social.

Tablotë tuaja të realizuara në karantinë, me çfarë subjekti janë trajtuar?

Kam realizuar një mori portretesh ku personazhi kryesor jam unë, por nuk është ekzaktësisht autoportret.

Pranvera këtë vit, si asnjëherë më parë është parë më shumë përmes ballkoneve dhe dritareve, si është reflektuar kjo te ju si artist?

Sapo kam përfunduar një vepër për pranverën. Unë kam mënyrë pikturimi që gjithcka kthehet në art, edhe mungesa, shqetësimi, çedimet, privimet kthehen në art, që kur dita nis me përgatitjen e shtrydhjes së ngjyrave.

Veprën e kam titulluar “Pranvera nga dritarja ime që nuk e kam”, sepse studio ime gjithësesi nuk ka dritare, por prapë e shoh.

Si ndikon në jetën e një piktori izolimi dhe mungesa e lirisë?

Esencialisht kemi të bëjmë me një vetëizolim, unë kam dalë, por ka artistë që nuk kanë dalë aspak.

Në këtë periudhë, unë jam çliruar, energjitë i kam të çliruara, edhe pse më janë privuar shumë gjëra, por kam sakrifikuar dhe orët që mund t’i kaloja në shtëpi, i kam kaluar në studio. Këtë unë e quaj një vetësakrificë.

Politiko.al/ S.Gj

Të fundit