Flash News

KRYESORE

“Ajo klith e gjëmon”, dom Gjergji Meta apel me ‘dhimbje e zemërim’ për djegien e pyjeve: Do e paguajmë shtrenjtë këtë pabesi ndaj natyrës

“Ajo klith e gjëmon”, dom Gjergji Meta apel me ‘dhimbje e

Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, Gjergj Meta i është drejtuar me një mesazh të fortë gjithëve duke dhënë alarmin mbi djegien e pyjeve dhe shkatërrimit të natyrës.

Ai apelon se do ta paguajmë shtrenjtë këtë ndiferencë ndaj natyrës siç shkruan, me pyjet që premë, me ujërat që devijuam, me mijëra HEC-e nëpër çdo shkrep ku ka një burim uji, me ndotjen që po i bëjmë ambientit në çdolloj mënyre, me ndërtimet, me shfrytëzimet pa kritere, e së fundmi djegien e pyjeve.

Statusi i plotë:

DHEMBJE DHE ZEMËRIM ...

Ndjehet dhembje e madhe përballë një pylli që digjet, sidomos kur imagjinon që aty ka kafshë, bimësi, jetë të shumëllojshme që merr fund. Dëmtohet ekosistemi, dëmtohet cilësia e jetës, dëmtohen bizneset dhe turizmi. Dhimbja më e madhe është se ndjehesh i pafuqishëm të bësh diçka.

Ndërsa ndjen dhembje, ajo përzjehet me zemërimin që shkakton ideja se ekziston një qenie njerëzore që e ka vënë zjarrin qëllimisht. Ai/ajo nuk janë as më shumë as më pak se sa vrasës me pagesë, të frikshëm dhe jetojnë mes nesh çdo ditë.

Ata, apo kush i ka paguar e shtyrë, janë të aftë të djegin gjithçka, edhe njerëz.

Shkakton zemërim indiferenca institucionale dhe mediatike për zjarret në Tropojë, Malsi e Madhe, Shkodër, Lezhë, Mirditë. Gjithçka për politikën, por jo për natyrën e cila po digjet.

Po e paguajmë dhe do ta paguajmë shtrenjtë këtë pabesi dhe indiferencë ndaj natyrës. Po e paguajmë me pyjet që premë, me ujërat që devijuam, me mijëra HEC-e nëpër çdo shkrep ku ka një burim uji, me ndotjen që po i bëjmë ambientit në çdolloj mënyre, me ndërtimet, me shfrytëzimet pa kritere.

Në këto raste nuk ka nevojë të lëshojë njeri mallkim, sepse mallkimi është vetë natyra e djegur. Ajo klith, bërtet dhe gjëmon e ne frymorët arsyetorë do ta paguajmë shtrenjtë...

 

Të fundit