Flash News

KRYESORE

Akuza e Bashës për blerje votash, Sterkaj: Isha në Dibër dhe çuditërisht fituam, por jo prej financimit të paligjshëm

Akuza e Bashës për blerje votash, Sterkaj: Isha në Dibër dhe

Deputeti i Partisë Socialiste, Paulin Sterkaj ka mohuar përfshirjen e tij në shit-blerjen e votave, në zgjedhjet lokale për bashkinë e Dibrës. Në një intervistë për ‘A2 CNN’, Sterkaj hodhi poshtë akuzat e kryeopozitarit Lulzim Basha se është pjesë e dosjes 184 të prokurorisë, për shkak të përfshirjes në manipulimin e zgjedhjeve.

Edhe pse deputet në Shkodër, Sterkaj e pranon angazhimin në zgjedhjet e Dibrës, ku siç thotë ai, çuditërisht Partia Socialiste u shpall fituese në një komunë demokrate.

“Në zgjedhje kam punuar në një zonë në Dibër, të Selishtës, në një komunë ku Partia Socialiste nuk kishte fituar kurrë, por për çudi ne fituam atje, por kjo nuk ka lidhje me blerjen e votës, apo financim të paligjshëm”, tha Sterkaj.

“Nuk e di çfarë është kjo dosje, unë gjithmonë, edhe në sport kam qenë gjithë jetën kampion dhe e kam bërë me arbitër. Në polici, nga babai i tij politik, ish-Presidenti Sali Berisha, kam medalje “Shqiponjën e Artë” për kontribut në sigurimin e rendit dhe qetësisë. Edhe dekoratë nga ish-Presidenti Bujar Nishani. Nuk e di të kem ndonjë dosje, por nëse më kërkon drejtësia i vihem në dispozicion në moment”.

Sterkaj ironizoi takimin e Bashës në Malësinë e Madhe, duke thënë se gjysmën e personave të pranishëm i kishte ftuar ai që të dilnin në shesh. “Më vjen shumë keq për liderin e Partisë Demokratike, është i varfër edhe nga llogaritjet matematike, por edhe në njohjen e përfaqësimit të deputetëve sipas zonave. Unë jam deputet i Malsisë së Madhe dhe më vjen keq për të që nuk i ishin mbledhur më shumë se 150 vetë në Koplik, ku prej tyre 75 ia çova unë për ta mirëpritur”, u shpreh Sterkaj.

“Unë përfaqësoj Malësinë e Madhe prej 14 vitesh. Unë bëj pjesë në deputetët që nuk blejnë vota. Shkodra më njeh mirë, më njohin edhe demokratët e Shkodrës sepse kam qenë edhe një mandat deputet i Partisë Demokratike. Unë s’bëj pjesë te deputetët që blejnë vota, unë bëj pjesë tek ata që i shërbejnë komunitetit jo kundrejt lekëve, por kundrejt nevojave dhe halleve. Këtë do ta bëj sa të jem deputet, do t’i shërbej të majtëve e të djathtëve”.

Të fundit