Flash News

Bota

Kim Jong Un arrin në Rusi për të biseduar me Putinin

Kim Jong Un arrin në Rusi për të biseduar me Putinin

Lideri verikorean, Kim Jong Un ka arritur në Rusi për t’u takuar me presidentin e shtetit, Vladimir Putin, ka thënë Ministria jugkoreane e Mbrojtjes.

Ka pasur indikacione se treni privat i Kimit e ka kaluar kufirin me Rusinë në mëngjesin e së martës, ka thënë ministria në Seul.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë se takimi i Putinit me Kimin do të ndodhë në Lindje të Largët të Rusisë, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve TASS, ndonëse nuk është bërë i ditur vendi i saktë i takimit.

Peskov ka thënë se fillimisht do të zhvillohen takime mes dy delegacioneve dhe më pas takime mes liderëve.

Media shtetërore në Korenë e Veriut ka konfirmuar që Kim është nisur nga Pheniani në Rusi, me trenin privat, qysh prej pasdites të së dielës.

E përditshmja amerikane, New York Times ka raportuar se Kim planifikon të negociojë me Putinin për furnizime me armë.

Kim largohet shumë rrallë prej Koresë së Veriut dhe sa herë largohet, ai udhëton me trenin e vet.

Gazeta amerikane ka raportuar se ushtria ruse është duke tentuar të sigurojë armë dhe municion për luftën në Ukrainë dhe se Putin shpreson që do të sigurojë artileri dhe armë anti-tank nga verikoreanët./ REL

Të fundit