Flash News

Bota

Pas marrjes së Afganistanit, talebanët i drejtohen popullit afgan: I kemi falur! Armiqësive iu ka ardhur fundi

Pas marrjes së Afganistanit, talebanët i drejtohen popullit afgan: I
Përfaqësuesit e talebanëve gjatë konferencës për mediat

Talebanët kanë dalë për herë të parë me një mesazh drejtuar popullin afgan në Kabul, pas marrjes në dorë të pushtetit. Në një konferencë për mediat, talebanët theksuan se ky “është një moment krenarie për të gjithë kombin“.

Zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid ka deklaruar para kamerave se talebantët nuk duan më asnjë armik. “Ne duam të sigurohemi që Afganistani nuk është më një fushë betejë konflikti. Ne i kemi falur të gjithë ata që kanë luftuar kundër nesh. Armiqësive u ka ardhur fundi. Ne nuk duam armiq të jashtëm apo të brendshëm”, ka thënë Zabihullah Mujahid.

Sa i përket dilemës nëse gratë do të gëzojnë të drejta të plota apo do të trajtohen si “plaçka”, zëdhënësi i talebanëve siguroi se askush nuk do të dëmtohet dhe gratë do të punojnë krah për krah me ta.

“Unë do të doja të siguroja bashkësinë ndërkombëtare se askush nuk do të dëmtohet. Ne nuk duam të kemi ndonjë problem me bashkësinë ndërkombëtare. Ne kemi të drejtë të veprojmë sipas parimeve tona fetare. Vendet e tjera kanë qasje, rregulla dhe rregullore të ndryshme … Afganët kanë të drejtë të kenë rregullat dhe rregulloret e tyre në përputhje me vlerat tona. Ne jemi të përkushtuar ndaj të drejtave të grave nën sistemin e Sheriatit (ligjit Islam). Ata do të punojnë krah për krah me ne. Ne do të donim të siguronim bashkësinë ndërkombëtare se nuk do të ketë diskriminim”, tha më tej ai.

Mujahid tha në fjalën e tij se mediat në Afganistan nuk duhet të punojnë kundër talebanëve, por për unitetin e kombit.

“Ne jemi të përkushtuar ndaj mediave brenda kornizës sonë kulturore. Asgjë nuk duhet të jetë kundër vlerave islame kur bëhet fjalë për aktivitetet e mediave. Ju në media duhet t’i kushtoni vëmendje mangësive në mënyrë që t’i shërbejmë kombit. Por media nuk duhet të punojë kundër nesh. Ata duhet të punojnë për unitetin e kombit”,  tha Zabihullah Mujahid.

Lidhur me përkthyesit dhe personat që kanë shërbyer për Amerikën, Mujahid tha se askush nuk do të trajtohet me hakmarrje, përkundrazi atyre do tu garantohet siguri për të jetuar.

“Askush nuk do të trajtohet me hakmarrje. Të rinjtë që janë rritur këtu, ne nuk duam të largohen. Ata janë pasuria jonë. Askush nuk do të trokasë në derën e tyre dhe nuk do t’i pyesë se për kë kanë punuar. Ata do të jenë të sigurt. Askush nuk do të merret në pyetje apo ndiqet. I kemi falur të gjithë”, shtoi zëdhënësi i talebanëve.

 

Të fundit