Flash News

Bota

"Patogjeni X"/ OBSH ngre alarmin: Një tjetër pandemi mund të shpërthejë në çdo moment

"Patogjeni X"/ OBSH ngre alarmin: Një tjetër pandemi mund

“Pandemia e ardhshme mund të shpërthejë kudo dhe në çdo moment. Mund të shkaktohet nga një virus i njohur ose nga një agjent krejtësisht i ri, atë që shkencëtarët e quajnë patogjeni X”.

Ky është paralajmërimi i drejtorit të përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, i bërë publik në një video me rastin e konferencës Mastering Immunity 2025 të mbajtur në Singapor, shkruajnë mediat e huaja. 

“Pyetja nuk është nëse do të shfaqet patogjeni X, por nëse do të jemi gati kur të ndodhë”, theksoi ai, duke bërë thirrje për një angazhim global për forcimin e përgatitjes shëndetësore.

Kreu i OBSH përsëriti rëndësinë e zgjerimit të kërkimeve duke përdorur prototipe patogjenësh që mund të simulojnë sjelljen grup familjeve virale, për të kuptuar mënyrat e përhapjes dhe strategjitë e frenimit. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, thelbësore është edhe zhvillimi i një kërkimi bashkëpunues dhe të shpërndarë gjeografikisht.

Tedros Adhanom Ghebreyesus kujtoi se në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë të këtij viti, vendet kanë miratuar marrëveshjen historike të OBSH-së për pandemitë, një instrument juridik ndërkombëtar që parashikon angazhime detyruese për forcimin e kërkimit, zhvillimit dhe aksesit të barabartë në vaksina dhe masa mjekësore kundër pandemive.

Ndër iniciativat e nisura, ai përmendi programin për teknologjinë mRNA në Afrikën e Jugut, të lançuar në vitin 2022 dhe që sot ndahet me një rrjet prej 15 vendesh partnere.

OBSh-ja, përfundoi ai, po punon për të promovuar konsorciume kërkimore të hapura që bashkojnë shkencëtarë, zhvillues, financues dhe rregullatorë, me synimin për të përshpejtuar zhvillimin e mjeteve kundër kërcënimeve të ardhshme pandemike.

Të fundit