Flash News

Bota

NASA nis misionin për të monitoruar motin hapësinor

NASA nis misionin për të monitoruar motin hapësinor

Shtetet e Bashkuara kanë nisur në hapësirë tri anije kozmike me misionin për të përmirësuar monitorimin e motit hapësinor, përfshirë stuhitë diellore që mund të dëmtojnë teknologjitë dhe sistemet energjetike në Tokë.

Lëshimi u realizua nga Qendra Hapësinore Kennedy në Florida, ku një raketë Falcon 9, e ndërtuar nga kompania private SpaceX, bartte sondat në destinacionin e tyre. Pasi të arrijnë në hapësirë, ato do të udhëtojnë drejt pikës Lagrange 1, e cila ndodhet rreth 1.5 milion kilometra larg Tokës, duke ofruar një vend të qëndrueshëm për vëzhgim të vazhdueshëm të Diellit.

Njëra prej sondave, e quajtur IMAP (Interstellar Mapping and Acceleration Probe), do të fokusohet në studimin e grimcave me energji të lartë që vijnë nga Dielli dhe në analizimin e heliosferës – flluska mbrojtëse që rrethon sistemin tonë diellor. Këto të dhëna do të jenë thelbësore për të kuptuar më mirë rrezatimin kozmik dhe motin hapësinor.

Anija tjetër, SWFO-L1, e operuar nga Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike e SHBA-së (NOAA), është projektuar për të detektuar në kohë reale stuhitë diellore dhe për të ofruar paralajmërime të hershme. Sipas Irene Parker nga NOAA, “Kjo mund të parandalojë një kërcënim që po vjen, mund të na japë kohë që të përgatitemi.”

Njohuritë e hershme për stuhitë diellore janë jetike, pasi këto fenomene mund të ndikojnë seriozisht në aviacion, komunikimet mobile, sistemet GPS dhe rrjetet elektrike – madje edhe të rrezikojnë astronautët dhe satelitët në orbitë.

Pasagjeri i tretë në këtë mision, Vëzhguesi Carruthers Geocorona, do të studiojë ekzosferën e Tokës për të kuptuar më mirë se si moti hapësinor ndikon në shtresat e jashtme të atmosferës sonë.

Të fundit