Flash News

Ditari i Maxhorancës

“Akset janë funksionale”: Balluku injoron bllokimin total të aksit ‘të artë’ Qukës–Qafë Plloçë

“Akset janë funksionale”: Balluku injoron bllokimin total

Nga Komiteti i Emergjencave, i mbledhur katër ditë pas përmbytjeve, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi se të gjitha akset rrugore janë funksionale, pavarësisht situatës së rënduar në disa zona të vendit.

Balluku u shpreh se problematikat nuk kanë të bëjnë me akset kombëtare, por vetëm me rrugët rurale që sipas saj mirëmbahen nga bashkitë, duke ia kaluar përgjegjësinë qeverisjes vendore.

“Akset rrugore janë të gjitha funksionale, i referohem akseve kombëtare. Ndërsa ka pasur problematika në akset rurale që mirëmbahen nga bashkitë. Ka pasur inerte që kanë zbritur nga skarpatet e maleve, edhe në rrugë që janë të konsoliduara ndër vite, si Shkalla e Zezë nga Gjirokastra në Tepelenë. Fakti që kemi pasur shumë zjarre dhe mungesa e bimësisë në jug e ka bërë më sfiduese situatën për mirëmbajtjen e rrugëve”, deklaroi Balluku.

Deklaratat e ministres bien në kontrast me realitetin në terren. Aksi Qukës–Qafë Plloçë, i inauguruar me shumë bujë nga vetë Balluku dhe kryeministri Edi Rama, u bllokua dy ditë më parë si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, që sollën rënien e një masivi dherash pranë tunelit.

Rrëshqitja e parë rrezikoi seriozisht jetën e qytetarëve, pasi një masiv dheu ra mbi një automjet në lëvizje. Vetëm një ditë më vonë, aksi u bllokua sërish nga një tjetër rrëshqitje, duke izoluar totalisht qarkullimin në këtë segment rrugor.

Të fundit